Lidhje

SHBA: Protestat aktuale, rezultat i organizimit dhe tragjedive ndër vite


Një muaj pasi afrikano-amerikani, George Floyd vdiq në duart e policisë në Minesota, protestat kundër brutalitetit të policisë dhe për drejtësi sociale, janë përhapur jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në vende të tjera. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Esha Sarai, u hedh një vështrim arsyeve që i motivojnë këto protesta.

Avokatët e drejtësisë sociale thonë se protestat në gjithë Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar nuk janë të reja, apo thjesht për shkak të vdekjes së George Floyd-it, por janë konsoliduar nga vite të tëra organizimi dhe një numër në rritje personash të vrarë në duart e policisë.

“Vijnë në një moment kur publiku e ka humbur durimin me veprimet e policisë. Pamjet e vdekjes së George Floyd-it, vijnë pas atyre të Philando Castile, por edhe të tjerëve si Tamir Rice, Walter Scott, Laquan McDonald...", thotë Cornell W. Brooks, ish-President i Organizatës Kombëtare të Përparimit të Njerëzve me Ngjyrë, NAACP.

Disa demonstrues kanë vënë në dukje se si pandemia e COVID-19 ka kontribuar tek vazhdimësia e protestave.

“Përveçse me duhet të luftoj racizmin në sistem, më duhet të luftoj një virus që nuk e kuptoj, që askush nuk e kupton. E megjithatë, vrasjet e afrikano-amerikanëve vazhdojnë. Është tepër”, thotë Hilda Jordan, që ka marrë pjesë në protestat e Uashingtonit.

Tubimet në qytete të ndryshme, janë shoqëruar edhe me mobilizim në media sociale, mbledhje fondesh dhe peticione.

“Kemi përqindjen më të lartë të papunësisë ndonjëherë. Njerëzit kanë kohë që të dalin në rrugë, të krijojnë peticione, të nxisin miqtë e tyre të dalin në protesta, të ndihmojnë”, thotë Hilda.

Afrikano-amerikanët që kanë protestuar javët e fundit, vënë në dukje se diskriminimi dhe dhuna kundër tyre nuk janë gjë e re.

“Unë e përjetoj sepse jam grua me ngjyrë. Nuk është diçka që sapo e zbulova”, thotë Sonia, një protestuese.

Aktivistët vënë në dukje se organizimi më i mirë dhe informacioni në media sociale e kanë rritur ndërgjegjësimin.

“Të rinjtë postojnë, hartojnë mesazhe, angazhohen në nisma të reja që e ndërpresin ritmin normal të jetesës, apo për reforma dhe ndryshojnë mënyrën se si flasim për to”, thotë zoti Brooks.

Rrethanat e protestave të këtij viti, ndryshojnë nga ato të mëparshme, por veprimtarët mendojnë se lëvizja aktuale është rezultat i viteve organizimi.

“Bazuar nga 25 vjet punë në këtë drejtim, ky është një moment serioz në fillimet e një lëvizjeje. Besoj se kam të drejtë ta mendoj këtë”, thotë zoti Brooks.

Ai dhe aktivistë të tjerë kanë besim se kjo lëvizje do të sjellë ndryshim, duke vënë në dukje përpjekjet për reforma në polici në qeverinë lokale dhe federale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG