Lidhje

Koronavirusi, 4 të vdekur në Shqipëri, mes tyre një profesor i Mjekësisë


Në Shqipëri, viktimat e Koronavirusit po rriten dita ditës. Sot autoritetet shëndetësore njoftuan për 4 persona të tjera që kanë humbur jetën, mes tyre dhe një profesor i njohur i Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi. I ndodhur në gjendje të rëndë në Spitalin Infektiv, profesor Pushi, 59 vjeçar, me një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë, u nda nga jeta pasdite. Profesor i Mjekësisë bëhet i pari nga rradhët e personelit shëendetësor i cili humbet jetën nga COVID 19-a.

Viktimat e tjera janë një 44 vjeçare nga Durrësi, një 71 vjeçar nga Tirana dhe një tjetër 85 vjeçar nga Tirana, të 3 të shtruar po ashtu në Spitalin Infektiv. “Pacientët kishin disa sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur dot të mbijetojnë për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, pavarësisht trajtimit intensiv nga stafi mjekësor”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Në 20 ditët e fundit, janë rregjistruar 29 viktima, nga 62 persona që kanë humbur jetën që nga fillimi i epidemisë.

Në spital janë ende 10 pacientë në gjendje të rënduar, ku 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 3 janë të intubuar. Në total numri i të shtruarve është 79 pacientë.

Me ritme të larta, që pas 10 ditëshit të parë të Qershorit, vijojnë të rriten dhe rastet e reja. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 69 të prekur, në 11 qytete të ndryshme: : 23 raste në Tiranë, nga 10 raste Durrës, Krujë, 6 në Vlorë, 5 në Mat, nga 4 raste në Kurbin, Kamëz, nga 2 raste në Shkodër, Fier, Kavajë, 1 në Lushnje. Deri më tani, nga fillimi i epidemisë janë rregjistruar 2535 raste, gjysma e të cilave në 21 ditët e fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG