Lidhje

Lobistët e lidhur me presidentin Trump “lulëzojnë” gjatë pandemisë


Dyzet lobistë që kanë lidhje me Presidentin Donald Trump kanë ndihmuar klientët e tyre të sigurojnë më shumë se 10 miliardë dollarë ndihma federale në kuadër të pandemisë, mes tyre edhe pesë ish-zyrtarë të administratës, veprimtaria e të cilëve ka gjasa të shkelë rregullat e etikës së vendosura nga vetë administrata Trump. Të dhënat pasqyrohen në një raport grupit mbikëqyrës “Public Citizen”. Lobistët emrat e të cilëve u bënë publik të hënën, ose kanë punuar në degën ekzekutive të qeverisë Trump ose kanë shërbyer në fushatën e tij. Ata kanë qenë gjithashtu pjesë e një komisioni që mblidhte para për festimet me rastin e inaugurimit të zotit Trump ose ishin pjesë e procesit të tranzicionit nga një administratë tek tjetra. Shumë janë donatorë të fushatës së zotit Trump dhe disa kanë mbledhur fonde për rizgjedhjen e tij.

Mes tyre është Brian Ballard i cili ka shërbyer gjatë periudhës së tranzicionit. Ai është kryetari i financave për Komitetin Kombëtar Republikan dhe ka arritur të grumbullojë më shumë se 1 milion dollarë për komitetin që mbledh fonde për zotin Trump. Në muajin mars ai u punësua nga "Laundrylux", një kompani që furnizon makina tregtare që shërbejnë për larje, kjo pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare lëshoi një udhëzim për mospërfshirjen e lavanderive si biznese thelbësore të cilat mund të qëndronin të hapura gjatë periudhës së izolimit si pasojë e koronavirusit. Një javë më vonë, administrata lëshoi udhëzime të reja duke i shtuar lavanderitë në listë.

Dave Urban, këshilltar dhe njeri i besuar i zotit Trump, ka mbledhur më shumë se 2.3 milionë dollarë në tarifa lobimi këtë vit. Firma që ai drejton "American Continental Group", përfaqëson 15 kompani mbi çështje që lidhen me koronavirusin, përfshirë "Walgreens" dhe kompaninë mëmë të "Ultimate Fighting Championship".

Zoti Trump u zotua të ngushtojë ndikimin e Uashingtonit me një fushatë nën sloganin "të thajmë kënetën". Por gjatë administratës së tij, industria e lobimit ka lulëzuar, një trend që u rrit kur Kongresi miratoi më shumë se 3.6 trilionë dollarë në formën e një pakete stimuluese për ekonomine e dëmtuar nga koronavirusi. Në një kohër kur paratë u panë si një rrugë shpëtimi për ekonominë e vendit, ajo gjithashtu i kanë hapur dyert mundësive për përfitime.

"Këneta në Uashington është shëndoshë e mir ", thotë Mike Tanglis, një nga autorët e raportit. "Ky bum lobimesh vjen falë lidhjeve që këta njerëz kanë me zotin Trump", shtoi ai.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me raportin.

Menjëherë pasi zoti Trump mori detyrën, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që ndalonte ish-zyrtarët e administratës që të lobojnë me agjencinë apo zyrën ku ata kanë qenë të punësuar, për një periudhë prej pesë vitesh. Urdhri ndalon gjithashtu lobimin tek administrata nga ish të emëruar politikë për gjithë pjesën e mbetur të kohës së zotit Trump në detyrë. Megjithatë gjasat janë që pesë lobistë, ish-zyrtarë të administratës ta kenë bërë një gjë të tillë gjatë periudhës së pandemisë.

- Courtney Lawrence ka punuar si ish-zëvendës ndihmëse sekretare për legjislacionin në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore prej vitit 2017 deri në 2018. Ajo u bë lobiste për kompaninë “Cigna” në 2018 dhe është pjesë e një ekipi që ka lobuar për qendrat e sigurime të kujdesit shëndetësor Medicare dhe Medicaid, HHS si dhe të paktën dy agjenci të tjera. Kompania “Cigna” nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment.

Shannon McGahn, bashkëshortja e ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, ka punuar në 2017 deri në 2018 si këshilltare e sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin. Më pas iu bashkua Shoqatës Kombëtare të Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme si lobistja kryesore si dhe renditet si pjesë e një ekipi që ka lobuar me të dyja dhomat e Kongresit dhe gjashtë agjensi, përfshirë Departamentin e Thesarit. Shoqata e Agjentëve të Pasurive të Paluajtshme nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Jordan Stoick është nënpresident për marrëdhëniet me qeverinë në Shoqatën Kombëtare të Prodhuesve (NAM). Biografia e zotit Stoick në faqen e internetit të NAM tregon se ai është "lobuesi kryesor i saj në Uashington", ku ai u punësua pasi u largua nga detyra e këshilltarit të lartë të Departamentit të Thesarit. Dokumetet tregojnë se zoti Stoick dhe kolegët e tij kanë lobuar me të dyja dhomat e Kongresit e të paktën pesë agjenci të degës ekzekutive, përfshirë Departamentin e Thesarin.

"NAM respekton me kujdes rregullat ligjore dhe etike që rregullojnë veprimtarinë e lobimit, duke u siguruar që punonjësit e saj të respektojnë të gjitha pengesat e duhura ligjore për të kontaktuar ish-punëdhënësit e tyre", thuhej në një deklaratë të një zyrtare të lartë të kësaj organizate Linda Kelly.

Geoffrey Burr iu bashkua kompanisë “Brownstein Hyatt” pasi shërbeu si shef i personelit të sekretares të Transportit Elaine Chao. Dokumentat e publikuara të firmës së lobimin për tremujorin e parë të vitit 2020 e përfshijnë zotin Burr në listën e lobistëve që kanë kontaktuar me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin për çështje të lidhura me koronavirusin në emër të kompanisë “McDonald's”.

Emily Felder iu bashkua “Brownstein Hyatt” pasi u largua nga qendrat për shërbime federale të kujdesit shëndetësor Medicare dhe Medicaid, ku punonte në zyrën legjislative. Sipas dokumenteve të publikuara që i përkasin tremujorit të parë të vitit 2020 zonja Felder ishte pjesë e një ekipi që lobonte pranë Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë. Një zëdhënëse e firmës tha se si zonja Felder dhe zoti Burr respektojnë rregullat e etikës së administratës Trump, të cilat kufizojnë lobimin e tyre me Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin.

"Kemi besim se veprimtaria e lobistëve tanë është në përputhje me të gjitha rregullat e lobimit dhe kufizimet e duhura ligjore dhe se nuk e kanë shkelur premtimin e tyre ndaj administratës Trump", thuhej në një deklaratë të] zëdhënëses Lara Day.

Craig Holman i cili përfaqëson grupin mbikëqyrës “Public Citizen” dhe gjithashtu një lobist i regjistruar, tha se grupi synon të paraqesë një ankesë lidhur me etikën pranë Shtëpisë së Bardhë. Por ai nuk ishte optimist se kjo gjë mund të sillte ndonjë rezultat. Vitin e kaluar zoti Holman paraqiti më shumë se 30 ankesa, të cilat u injoruan ose u refuzuan për t’u marrë në shqyrtim.

"Nuk mendoj se egziston dikush që kërkon zbatimin e urdhrit ekzekutiv", tha zoti Holman.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG