Lidhje

Bashkëpunëtorja e Epstainit çohet në burgun e Nju Jorkut


Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e dyshuar e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, është zhvendosur në një burg në Nju Jork. Ajo përballet me akuza për ndihmë ndaj një rrjeti të trafikimit seksual.

Maxwell, 58 vjeç, u arrestua të enjten në Nju Hemshër dhe u mbajt gjatë fundjavës në burgun e Qarkut Merimek, një ndërtesë me siguri të mesme rreth 32 km nga një shtëpi luksoze, ku hetuesit thanë se ajo ishte strehuar.


E pandehura po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Bruklin, tha të hënën zyra e burgut.
Kushtet në këtë qendër ngjallën protesta në publik vitin e kaluar pas një zjarri elektrik që ndërpreu rrymën dhe ngrohjen për gati 1.600 të burgosur gjatë një prej javëve më të ftohta të 2019-ës.


Prokurorët e kanë akuzuar Maxwell, vajzën e magnatit të ndjerë të mediave britanike Robert Maxwell, se joshte dhe grumbullonte vajza të mitura në mënyrë që Epstein të mund t'i abuzonte seksualisht.

Sipas një aktakuze të bërë publike javën e kaluar, në disa raste, vetë Maxwell ka marrë pjesë në abuzime.

Maxwell pritet të bëjë paraqitjen e saj të parë në gjykatën federale në Manhattan të premten për katër akuza penale që lidhen me sigurimin dhe transportimin e të miturave për akte seksuale të paligjshme dhe dy akuza për dëshmi të rreme.

Epstein ishte në pritje të gjykimit nën akuzat federale të trafikimit të të miturve midis viteve 2002 dhe 2005 kur u gjet i varur në Qendrën Korrektuese Metropolitane në Manhattan në gusht. Ekspertiza mjeko-ligjore arriti në përfundimin se vdekja e tij ishte një vetëvrasje.

Maxwell ishte një ish e dashura e Epsteinit, e cila u bë një anëtare e rrethit të tij të brendshëm për një kohë të gjatë.


Në një artikull të revistës Vanity Fair të vitit 2003, Epstein u citua të thoshte se Maxwell ishte shoqja e tij më e mirë.

Në aktakuzë thuhet se Maxwell që nga viti 1994 deri në 1997 ka joshur vajza duke i pyetur për jetën e tyre, shkollën dhe familjen dhe duke i shëtitur ato në pazare ose kinema.

Pasi Maxwell fitonte besimin e vajzave, pretendon aktakuza, ajo përpiqej të "normalizonte abuzimin seksual" duke diskutuar tema seksuale ose duke u zhveshur para tyre ose duke qenë prezente kur ishin zhveshur.


Abuzimi i pretenduar i Epsteinit përfshinte prekjen e organeve gjenitale, vendosjen e lodrave seksuale në organet gjenitale dhe që vajzat të preknin Epsteinin ndërsa ai masturbohej.


Maxwell përballet me deri në 35 vjet burg nëse dënohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG