Lidhje

Francë: Presidenti Macron përpiqet të forcojë pozitat politike


Presidenti Emmanuel Macron me kryeministrin e ri Jean Castex

I rrethuar nga trazirat sociale, problemet ekonomike dhe pandemia e koronavirusit, Presidenti francez Emmanuel Macron është në procesin e ndryshimeve në qeveri, dy vjet para një përpjekje për t’u rizgjedhur, duke shpresuar që të ketë më shumë sukses sesa paraardhësit e tij, që kanë shërbyer vetëm për një mandat.

Një nga shqetësimet e tij, sipas këshilltarëve të zotit Macron, është mundësia e një kandidati jokonvencional ose populist. Por rreziku më i madh për të mund të vijë nga kryeministri i saposhkarkuar, Edouard Philippe, një politikan i së djathtës së qendrës, që u zëvendësua javën e kaluar nga një teknokrat pa shumë ambicje politike, 55 vjeçari Jean Castex.

Largimi i zotit Philippe, nuk ishte befasi për klasën politike të Francës, pasi për shkarkimin e tij ishte folur për javë të tëra në median e vendit. Ishte e pritshme që Presidenti Macron, që fitoi si kandidat i së majtës së qendrës, por ka anuar nga e djathta gjatë gjithë mandatit të tij, do të zhvendosej nga e majta para garës për rizgjedhje. Për këtë arsye zoti Philippe duhet të zëvendësohej nga një figure e së majtës së qendrës.

Por zoti Castex, baba I katër fëmijëve nga qytet i vogël i rajonit jugperëndimor Gers, në Pirene dhe një funskionar i nivelit të lartë që ka mbikqyrur lehtësimin e masave të izolimit nga koronavirusi në Francë, është një golist dhe e bëri këtë të qartë në intervistën e tij të parë në detyrë.

“Vlerat e mia qëndrojnë tek përgjegjësia. Kjo do të thotë që nuk mund të presim çdo gjë nga shteti”, tha Castex, që ka shërbyer si zëvendës shef I stafit të ish-Presidentit, Nicolas Sarkozy.

Gazeta franceze Le Monde la të kuptohet se zoti Macron e shkarkoi zotin Philippe sepse druhej se kryeministri po e eklipsonte dhe dy vjet të tjera në detyrë, do t’ia rrisnin edhe më shumë staturën.

“Macron ka vendosur t’i kombinojë ato poste, do të kryejë edhe funskionet e Presidentit dhe Kryeministrit”, i tha gazetës një nga përkrahësit e udhëheqësit francez.

Philippe ishte bërë nga figurat popullore të vendit, dhe i njihej gjerësisht merita për anët pozitive të menaxhimit të pandemisë, por jo përgjegjësia për gjërat që kishin shkuar keq. Rreth 30 mijë vetë kanë vdekur nga koronavirusi në Francë.

Philippe, po tregonte gjithnjë e më shumë shenja pavarësie nga zoti Macron, duke refuzuar të pranonte një besnik të presidentit, Nicolas Revel, si drejtor kabineti.

“Ajo që zoti Philippe nuk arriti ta kuptonte kurrë plotësisht, ishte se si kryeministët, ai duhej të merrte përgjegjësinë për problemet, por të linte presidentin t’i njihej mirë kur gjërat shkonin mirë”, tha një ish-këshilltar i zotit Macron, që kërkoi të mos identifikohej.

Presidenti Macron ka pësuar rënie në anketa dhe po përballet me pakënaqësi në rritje brenda partisë që krijoi, La République en Marche. Muajin e kalura, një fraksion i krahut të majtë me 17 ligjvënës së parties së tij, u shkëput duke krijuar një grup të ri parlamentar “Ekologji, Demokraci, Solidaritet”. Në të gjitha grupimet e partisë ekziston shqetësimi për perspektivën në zgjedhjet e ardhshme.

Ky shqetësim u intensifikua muajin e kaluar kur partia e zotit Macron pësoi humbje të thella në zgjedhjet lokale, duke mos fituar në asnjë nga qytetet e mëdha.

Në garën për Bashkinë e Parisit, kandidatja e parties së tij, doli e treta.

Disa vëzhgues dyshojnë se emërimi i zotit Castex sinjalizon bindjen e zotit Macron se fati i tij politik varet nga qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe se roli kryesor i kryeministrit të tij të ri është që të lidhë Macron-in metropolitan dhe qeverinë e tij me periferinë, për të kompensuar rënien e mbështetjes në zonat urbane.

Analistët thonë se nuk dihet nëse ai do t’ia arrijë qëllimit. Protestat e “jelekëve të verdhë” e kishin fillesën në qytetet e vogla dhe drejtoheshin ndaj asaj që shumë vetë në periferinë e Francës e shohin si qeveri elitare.

Para dy javësh, zoti Macron u tha francezëve në një fjalim në televizion se një ndryshim drejtimi për vendin ishte i nevojshëm për vendin pas pandemisë.

“Të gjithë ne duhet të transformohemi dhe të gjithë bashkë duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe dhe unë do të jem i pari”, tha ai.

Disa argumentojnë se ka një mospërputhje në makinacionet e zotit Macron së fundmi. Shkarkimi i zotit Philippe është një shembull. Nëse ai ka ndërmend të qeverisë nga e djathta e spektrit politik, atëherë përse duhej të hiqte kryeministrin e tij të pëlqyer?

Gazeta konservatore Le Figaro kishte paralajmëruar se heqja e zotit Philippe, nuk do të pëlqehej nga votuesit e së djathtës së qendrës, grupi kryesor mbështetës i zotit Macron, ndërsa e majta po e braktis, e zemëruar nga përpjekjet e tij për reformën e pensioneve.

Disa analistë thonë se ka një element dëshpërimi në lëvizjet e fundit politike të zotit Macron, ose të paktën një oportunizëm për të siguruar rizgjedhjen. Muajin e kaluar, njoftimet e medias spekulluan se ai kishte konsideruar mundësinë e dorëheqjes dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, duke menduar se kjo do të shtonte shansin për rizgjedhje.

Ai ka shkaktuar befasi në kryeqytetin francez, Paris duke kontaktuar figura që nuk i takojnë politikës tradicionale, përfshirë Éric Zemmour, një eseist politik, që favorizohet nga e djathta e skajshme dhe Jean-Marie Bigard, një komedian francez i debatueshëm që mund të konsiderojë garën e tij presidenciale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG