Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, duke cituar ato që i quajti abuzime të drejtave të njeriut nga qeveria e Kinës në zonat e Tibetit, tha se Shtetet e Bashkuara do të kufizonin vizat për disa zyrtarë kinezë, sepse Pekini pengon udhëtimin në rajon të diplomatëve amerikanë, gazetarëve dhe turistëve.
Zoti Pompeo tha përmes një deklerate se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur një “autonomi kuptimplotë” për tibetianët dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut atje.
“Qasja në zonat e Tibetit është gjithnjë e më e rëndësishme për stabilitetin rajonal, duke patur parasyshë abuzimin e të drejtave të njeriut atje nga Republika Popullore e Kinës, si dhe dështimin e Pekinit për të parandaluar degradimin mjedisor pranë pragjeve të lumenjëve kryesore të Azisë”, tha zoti Pompeo.
“Sot po njoftoj kufizimin e vizave ndaj zyrtarëve të Republikës Popullore të Kinës dhe të Partisë Komuniste të Kinës që janë të përfshirë në mënyrë thelbësore në formulimin apo ekzekutimin e politikave që lidhen me pengimin e futjes së huajve në zonat e Tibetit”, tha ai.
Mardhëniet amerikano-kineze kanë arritur në pikën më të ulët në vite qëkur pandemia e koronavirusit që filloi në Kinë goditi rëndë Shtetet e Bashkuara. Presidenti Donad Trump dhe administrata e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Pekinin se nuk është treguar transparent lidhur me shpërthimin e virusit vdekjeprurës.
Sekretari Pompeo tha javën e kaluar se ligji i ri i sigurisë që Kina ka vëndosur ndaj Hong Kongut ishte shqetësim për të gjitha vendet, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara futën në fuqi kufizimin e vizave për zyrtarët përgjegjës për shtypjen në Hong Kong.
Facebook Forum