Lidhje

Shqipëri, tjetër pikë kulmore e rasteve të reja me Covid 19


Në Shqipëri, rastet e reja me COVID 19 shënuan sot një tjetër pikë kulmore me 90 të prekur dhe dy viktima të tjera. Të infektuarit e rinj janë zbuluar në 11 qytete të ndryshme të vendit, ndërsa dy personat që kanë humbur jetën janë një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të cilët sipas ministrisë së Shëndetësisë, ishin shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar. Nuk ka të dhëna nëse dy viktimat kishin sëmundje shoqëruese. Në total janë 85 të vdekur deri tani, nga të cilët më shumë se gjysma në 4 javët e fundit.

Në spitalin Infektiv situata mbetet shqetësuese me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe dhe të tjerë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja. Deri në mesditë ishin të shtruar 81 persona në spital, 11 pacientë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Që nga 9 qershori, rastet e reja shënuan një rritje të shpejtë e të pandërprerë, duke shkuar në mbi 2 mijë të prekur, ndërkohë që në tre muajt e parë të pandemisë ishin rregjistruar pak më shumë se 1250 të infektuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG