Lidhje

Trump në Florida, përpjekje për votën e hispanikëve


President Donald Trump listens during a round-table discussion on Venezuela at Iglesia Doral Jesus Worship Center, July 10, 2020, in Doral, Fla.

Mes rritjes së rasteve të koronavirusit, Presidenti Donald Trump shkoi në Florida në një vizitë që ndërthur politikën e administratës së tij ndaj Venezuelës dhe Kubës, dhe ofertën e tij për rizgjedhje, në një nga shtetet më të mëdha në vend.

Presidenti Trump organizoi një tryezë të rrumbullakët në Doral, në qarkun Majami-Dejd, aty ku ndodhet një nga komunitetet më të mëdha venezueliane në Shtetet e Bashkuara. I rrethuar nga disidentë nga Venezuela dhe Kuba, presidenti Trump përsëriti mbështetjen e administratës së tij për popujt e të dy vendeve.

"Ne qëndrojmë përkrah udhëheqësit legjitim të Venezuelës, Juan Guaidó," tha presidenti Trump, duke shtuar se ai i kishte dhënë fund "kompromisit Obama-Biden ndaj regjimit Castro".

Trump parashtroi një mesazh të ngjashëm në një aktivitet më të hershëm të premten ndërsa u takua me drejtuesit e Komandës Jugore Amerikane për të shqyrtuar operacionin kundër narkotikëve në Karaibe, një operacion që administrata e tij e ka përshkruar pjesërisht si një përpjekje për të përgjuar fondet që shkojnë për regjimin e Nicolás Maduros.

"Ne do të luftojmë për Venezuelën dhe do të luftojmë për miqtë tanë nga Kuba," tha presidenti Trump.

Vitin e kaluar, Guaidó, i cili ishte në atë kohë presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, mori përsipër rolin e presidentit të përkohshëm, duke zëvendësuar Maduron. Mbështetja e hershme e Uashingtonit për Guaidón e ndihmoi atë të fitojë njohje diplomatike nga rreth 60 vende. Por një seri sanksionesh kundër Venezuelës dhe Kubës si dhe një propozim për një tranzicion paqësor të paraqitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk kanë arritur të bindin Maduro të largohet nga detyra dhe ai vazhdon të mbajë pushtetin.

Në qershor presidenti Trump u kritikua pasi tha se është i hapur për t'u takuar me Maduron. Trump më vonë sqaroi se do ta bënte këtë vetëm për të diskutuar planet për daljen e presidentit të Venezuelës.

Ndryshimi i politikës ndaj Venezuelës

Në një deklaratë të premten, kandidati i pritshëm presidencial demokrat Joe Biden u kujtoi votuesve atë që ai e cilësoi si ndryshim të politikës së jashtme ndaj Venezuelës.

"Ashtu si përgjigja e tij ndaj kësaj pandemie, presidenti nuk ka qenë i besueshëm dhe ka qënë egoist në qasjen e tij ndaj çështjeve të rëndësishme për popullin e Venezuelës," tha zoti Biden.

Ai përsëriti premtimin e tij për t'i dhënë venezuelianëve Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme për t'i lejuar ata të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara dhe tha se do të udhëheqë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për të ndihmuar ekonominë e dështuar të Venezuelës. Zoti Biden e quajti vizitën e presidentit Trump në Florida si një spektakët për të shpërqëndruar vëmendjen nga dështimet e tij".

Në aktivitetin e tryezës së rrumbullakët në Florida, presidenti Trump sulmoi përsëri kundërshtarin e tij demokrat. Ndërsa të pranishmit ndanë përvojat e tyre të largimit nga vendet socialiste, Trump e përshkroi Bidenin si një kukull të senatorit demokrat progresist Bernie Sanders, ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez dhe "militantëve të majtë".

Megjithë sanksionet dhe presionin diplomatik nga administrata Trump, çështja e Venezuelës mbetet e pazgjidhur.

"Lufta për pushtet midis Juan Guaidó dhe Nicolás Maduro vazhdon pa asnjë shenjë fundi" thotë Moises Rendon, drejtori i Nismës për të Ardhmen e Venezuelës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. "Kjo nënvizon kufizimet e sanksioneve si një mjet i politikës së jashtme dhe vë në dyshim rolin e tyre në fushatën e presionit maksimal të Sh.B.A-së mbi regjimin Maduro".

Shtet i lëkundur

Florida ka 29 vota zgjedhore dhe konsiderohet një shtet i rëndësishëm që mund të vendosë zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Trump e fitoi me një diferencë të ngushtë këtë shtet në 2016 ndaj rivales së atëhershme demokratike Hillary Clinton me 1.2 pikë përqindje. Sipas një sondazhi të Fox News, Biden është aktualisht përpara presidentit Trump në Florida me 9 pikë.

Ka zbehje të besimit tek Trumpi nga komuniteti Venezueliano-Amerikan në Florida, i tha Zërit të Amerikës Luisana Pérez Fernández, zëvendës drejtoreshë e komunikimit të Partisë Demokratike në këtë shtet.

"Ka kaluar më shumë se një vit që ai flet e flet për Venezuelën, por Maduro është ende në pushtet dhe venezuelianët janë ende duke u dëbuar," tha ajo. Por republikanët thonë se ka një energji të shtuar në terren për të rizgjedhur presidentin.

"Majami është i mbushur me emigrantë që ikin nga tirania socialiste", tha për Zërin e Amerikës, Maricel Cobitz, nënkryetare e Federatës së Grave Republikane në Florida. "Ata i kanë jetuar këto gënjeshtra. Entuziazmi për Presidentin Trump dhe kapitalizmin është dominues dhe real."

Vizita e presidentit Trump në Florida duket se është pjesë e një qasje për të fituar votuesit hispanikë përpara zgjedhjeve të nëntorit. Pothuajse një e katërta e popullsisë së këtij shteti e konsideron veten hispanike.

Të enjten në Shtëpinë e Bardhë, presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv "për të përmirësuar qasjen e hispaniko-amerikane në mundësitë arsimore dhe ekonomike".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG