Lidhje

Balotazhi presidencial në Poloni


Polakët votojnë të dielën për atë që shumica e analistëve thonë se do të jenë një balotazh i ngushtë mes presidentit të krahut të djathtë Andrzej Duda dhe kundërshtarit të tij kryesor politik, kryetarit liberal të bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski. Në raundin e parë të votimit që u mbajt në fund të muajit qershor, nuk pati një fitues të qartë. Zoti Duda mori 43 për qind të votave, ndërsa zoti Trzaskowski fitoi 30 për qind të tyre.

Partia nacionaliste për “Ligj e Drejtësi” e Dudës shpreson që ta zgjerojë shumicën e saj në parlament si dhe të zbatojë politika konservatore sociale, jurike apo ato të lidhura me emigracionin, që shumë në Bashkimin Evropian i kanë kritikuar si antidemokratike. Ato përfshijnë premtimin e zotit Duda për të ndaluar edukimin në shkolla mbi të drejtat e homoseksualëve. Ai e ka quajtur homoseksualitetin më keq se komunizmi.

Zoti Trzaskowski, i partisë “Platforma Qytetare”, bëri fushatë me premtimin për t’i ruajtur programet e mirëqenies së partisë në pushtet, por tha se do të bllokojë çdo legjislacion që do të ishte antikushtetues. Ai ka thënë gjithashtu se do të rivendosë marrëdhëniet e mira me Bashkimin Evropian.

Përhapja e koronavirusit u bë shkak për shtyrjen e raundit të parë të votimit për zgjedhjet presidenciale me gati 2 muaj. Vëzhguesit thonë se shtyrja dëmtoi zotin Duda, i cili fillimisht u duk se kishte shanse për fitore që në raundin e parë. Por popullariteti i tij në sondazhe ra pasi partia “Platforma Qytetare” zëvendësoi një kandidat shumë më pak të njohur, me zotin Trzaskowski dhe pasi disa kandidatëve të tjerë iu dha mundësia të dilnin e të bënin fushatë, me lehtësimin e kufizimeve për shkak të pandemisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG