Lidhje

Drejtori i USAGM u del në mbrojtje shkarkimeve  


Mes shqetësimeve të shprehura nga një grup dypartiak senatorësh rreth disa prej masave të marra prej tij, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), Michael Pack, shprehet në një letër se është i përkushtuar të ndreqë problemet e menaxhimit në këtë agjenci, pasi i është caktuar detyra të bëjë "ndryshime të guximshme dhe domethënëse".

Letra e datës 8 korrik, e siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe kanali CNBC, u hartua në përgjigje të një letre të dërguar nga një grup dypartiak senatorësh. Letra e senatorëve thotë se zoti Pack veproi pa u konsultuar ose pa njoftuar Kongresin dhe se vendimet e tij për të shkarkuar drejtuesit e Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Radios Azia e Lirë, Rjeteve të Transmetimit në Lindjen e Mesme, si dhe Fondit për Teknologjinë e Hapur, "ngrenë pikëpyetje serioze" për të ardhmen e agjencisë, ku përfshihet edhe Zëri i Amerikës, nën udhëheqjen e tij.

"Presidenti, populli amerikan, dhe Senati më kërkuan të bëj ndryshime të guximshme dhe domethënëse", thotë zoti Pack. "Në të vërtetë, përgjatë gjithë procesit të konfirmimit dhe gjatë javëve që mora drejtimin, e bëra të qartë angazhimin tim për të ndrequr problemet e mirënjohura të menaxhimit prej të cilave ka vuajtur prej kohësh USAGM-i dhe gjithashtu edhe institucionet brenda tij".

"Gjatë procesit të konfirmimit, u zotova të respektoj dhe të mbroj pavarësinë e gazetarëve të USAGM-it, dhe i qëndroj atij zotimi", thotë zoti Pack. "Dëshiroj gjithashtu të përsëris angazhimin tim të vendosur për të respektuar Kartën e Zërit të Amerikës dhe për të mbështetur misionet e rrjeteve të tjera të USAGM-it, si dhe gazetarët tanë heroikë në mbarë botën. Si agjenci, nëpërmjet raportimit të saktë dhe të besueshëm, ne duhet t'ua sjellim të vërtetën atyre që janë të etur për të".

Karta e Zërit të Amerikës, e cila mori fuqinë e ligjit në vitin 1976, i kërkon Zërit të Amerikës që të jetë "i saktë, objektiv, dhe gjithëpërfshirës" në raportimet e tij; të ofrojë një pasqyrë "të balancuar dhe gjithëpërfshirëse" të opinionit amerikan; si dhe të përshkruajë politikat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara me "qartësi dhe efikasitet".

Krahas shqetësimeve të senatorëve, një grup prej 11 ligjvënësish demokratë u shprehën në një letër drejtuar krerëve të Nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin e Programeve Shtetërore, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndërlidhura, se ishin "thellësisht të shqetësuar për shkarkimet e drejtuesve të kualifikuar" dhe për "njoftimet se USAGM ka ngrirë fondet dhe grantet" për programet që synojnë të shmangin censurën dhe të ofrojnë mjetet për lirinë e internetit në Hong Kong dhe gjetiu.

Krahas çështjeve të personelit dhe atyre buxhetore, ligjvënësit shprehën shqetësimin se "programet dhe raportimet e bazuara tek e vërteta" të kësaj agjencie, do të rrezikoheshin nëse do të dëmtohej pavarësia e saj editoriale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG