Antropologu Lawrence Kuznar nuk është adhurues i statujave të Konfederatës, por mendon se amerikanët duhet të nxjerrin mësime prej tyre.
"Nuk jam domosdoshmërisht kundër heqjes së tyre", thotë profesori i antropologjisë në Universitetin Indiana, i cili është në prag të pensionit.
“Është e thjeshtë të jesh emocional dhe i ngazëllyer në grup dhe të rrëzosh një monument. Por kjo nuk bën asgjë për të zgjidhur një ndarje të thellë racore dhe politike që me të vërtetë duket se po e copëton këtë vend. Edhe heqja e tyre në mënyrë të ligjshme, duhet të bëhet në një mënyrë të menduar mirë”.
Ndërsa protestat e lëvizjes "Jetët e afrikano-amerikanëve vlejnë", u përhapën në mbarë vendin pas vdekjes së George Floyd-it nën arrest policor, disa demonstrues vendosën të shembin statujat. Monumente të tjera janë duke u hequr nga autoritetet lokale. Në përgjithësi, dhjetëra statuja janë hequr, dhe shumë të tjera janë vandalizuar në mbarë vendin.
Përveç statujave të Konfederatës, monumente të tjera që shihen si simbole të shtypjes dhe racizmit sistemik janë vënë gjithashtu në shënjestër. Në ditën e pavarësisë, një turmë rrëzoi një statujë të Kristofor Kolombit dhe e hodhi atë në Portin e Brendshëm në Baltimor.
Sipas një raporti të vitit 2019 nga Qendra "Southern Poverty Law" (SPLC), në hapësirat publike ka patur 1.747 simbole që nderonin Konfederatën.
Shumica e statujave të Konfederatës nuk u ngritën menjëherë pas Luftës Civile.
SPLC thotë se ndërtimi i monumenteve në të vërtetë u rrit ndjeshëm në fillim të viteve 1900, dhe pastaj përsëri në vitet 1950 dhe ‘60 gjatë periudhave të tensionit të të drejtave civile.
"Qëllimi i deklaruar për ndërtimin e tyre ishte për të nderuar burrat që simbolizuan vlera të tilla si trimëria dhe nderi, por qëllimi aktual ishte të afirmohej pushteti në marrëdhëniet midis jugorëve të bardhë dhe afrikano-amerikanëve", i tha Zërit të Amerikës, James Grossman, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Historike Amerikane. "Këto monumente u kujtuan të gjithëve, në një mënyrë shumë publike, se njerëzit e bardhë do të ruanin monopolin e tyre të pushtetit.
Kjo, thotë Kuznar, është pikërisht historia që monumentet e Konfederatës mund të tregojnë.
"Ato tregojnë diçka për SH.B.A. Nëse më shumë njerëz i kuptonin forcat politike pas asaj se pse shumë, jo të gjitha, por shumë prej statujave të Konfederatës u ngritën në epokën e Jim Crow ... është një kapitull mjaft i errët i historisë së kombit," thotë ai . “Heqja e statujave e bën më të vështirë për ta përsjellë atë histori te njerëzit. Sinqerisht, mendoj se e bën më të vështirë për ne të tregojmë dhe kujtojmë të vërtetën e plotë të historisë së kombit. "
Ligjet e Jim Crow lejuan ndërtimin e statujave shtetërore dhe lokale në Jugun Amerikan në fund të viteve 1800 dhe në fillim të viteve 1900 për të zbatuar ndarjen raciale. Ndërsa disa mund të shohin heqjen e statujave si histori "e treguar nga pikëpamja e të bardhëve", të tjerët e shohin heqjen e tyre si korrigjim të një rrëfimi të rremë.
"Historia e treguar nga këndvështrimi i të bardhëve është ajo që po bënin statujat, duke vendosur si heronj njerëz që kryen tradhëti në mbrojtje të së drejtës së supozuar të disa njerëzve për të zotëruar njerëz të tjerë”, thotë Grossman. "Kjo është përpjekje për të pastruar reputacionin e burrave që nuk meritojnë nder për atë që bënë ose për atë që kërkuan."
Kuznar thekson se heqja ose shkatërrimi i monumenteve nuk është diçka e re. Pushtuesit spanjollë shkatërruan monumentet e civilizimit Aztek dhe Inka. Rusia hoqi disa statuja të epokës sovjetike pas rënies së Bashkimit Sovjetik ndërsa Talibanët hodhën në erë një gdhëndje antike budiste në Afganistan në viti 2001.
Kuznar, i cili ka eksperiencë në arkeologji, paralajmëron kundër lëvizjeve shumë të shpejta në valën e pasionit apo për avantazhe politike.
"Unë mendoj se vetë komunitetet duhet të kenë një diskutim shumë të matur, shumë serioz se përse është ajo statujë atje", thotë ai. “A duam ta përkujtojmë më shumë këtë person? A mund ta përdorim statujën për të treguar një histori më të plotë të kombit? Në mënyrë që ata të vendosin në përputhje me rrethanat nëse e dëshirojnë atje apo jo ".
Facebook Forum