Lidhje

New York Times njofton transferim të operacioneve dixhitale nga Hong Kongu


Gazeta New York Times thotë se do të zhvendosë operacionet e saj dixhitale në Azi nga Hong Kongu në Seul, duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë pas ligjit që vendosi Kina për sigurinë kombëtare mbi këtë territor.

Në një njoftim për personelin të qarkulluar të martën, drejtuesit dhe stafi redaksional për operacionet ndërkombëtare thotë se ligji i ri “ka krijuar shumë paqartësi për mënyrën si do të ndikohen operacionet tona dhe mbulimi gazetaresk”.

Gazeta thotë se brenda vitit të ardhshëm do të zhvendosë në Seul operacionet dixhitale, të cilat përfaqësojnë afro 1/3 e stafit të gazetës në Hong Kong. New York Times njofton se do të vazhdojë të ketë korrespondentë në Hong Kong për të mbuluar zhvillimet në qytet dhe rajon. Ekipi që punon për lajmet ndërkombëtare të variantit të shtypur të gazetës, si për botimin evropian, ashtu edhe atë aziatik, do të vazhdojë të qëndrojë në Hong Kong.

Statusi autonom i Hong Kongut dhe politikat e hapura ndaj shtypit e kishin bërë atë një pikë tërheqëse për organizata të huaja mediatike. Por gazeta thotë se kohët e fundit gazetarët e saj në Hong Kong po ndeshen me sfida si pengesa në sigurimin e lejeve për mbulim dhe probleme të tjera që janë të përditshme në Kinë.

Gazeta thotë se zgodhi Korenë e Jugut si vendndodhje e ardhshme e operacioneve pasi ky vend “ka politika miqësore ndaj bizneseve të huaja, shtypit të pavarur dhe është gjithashtu një ndër pikat qendrore të zhvillimeve në Azi”.

Kohët e fundit Kina miratoi një ligj të ri për sigurinë kombëtare, sipas të cilit kushdo në Hong Kong që besohet se është i angazhuar në terrorizëm, separatizëm, veprime për cënimin e shtetit ose bashkëpunim të fshehtë me forca të huaja mund të ndeshet me padi dhe mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Ligji i ri ishte reagim ndaj protestave masive dhe shpesh të dhunshme pro-demokracisë, që përfshinë Hong Kongun në 2019.

Qeveritë perëndimore dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se masat kineze praktikisht eliminojnë statusin autonom që Hong Kongu ka pasur që kur Britania ia ktheu këtë territor Kinës në 1997.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG