Lidhje

Maqedoni e Veriut, mbyllet procesi i votimit


Në orën 21 me orën lokale në Maqedoninë e Veriut u mbyllën qendrat e votimit ku u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, procesi i dhjetë zgjedhor që nga pavarësia dhe të pestat zgjedhje të parakohshme.

Disa parregullsi të njoftuara nga një pjesë e medias janë vlerësuar si të parëndësishme nga Komisioni Shtetëror i Zgjedheve (KSHZ) për të ndikuar në procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve. Në dy a tre vende, në Butel të Shkupit dhe në Manastir ka pasur përpjekje për fotografimin e votës nga votuesit; në Veleshtë të Strugës është raportuar për një zënkë verbale por që ka ndodhur jashta qendrës së votimit. Në Llojan të komunës së Likovës, në veri të vendit ka pasur një ndërpreje të shkurtër të votimit, për motive teknike sic dhe u cilësuan.

Shumë nga votuesit e anketuar thanë se shpresojnë se vota e tyre do të ndikojë në përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, në këtë kohë kur pandemia e koronavirusit ka prekur disa mijë qytetarë dhe u ka marrë jetën 393 të tjerëve. E vecanta e këtyre zgjedhjeve është se u zhvilluan në një kohë krize shëndetësore me një protokoll të posacëm për t’u mbojtur nga infektimi.

Shifrat e pjesëmarrjen në votime nuk u konsideruna të ulta duke pasur parasysh gjendjen dhe frikën nga mundësia e përhapjes së virusit. Deri në orën 20.30, sipas KSHZ-së kanë votuar 50,84 eletoratit. Kjo shifër i jep një legjitimitet procesit dhe pjesëmarrësve në garë. Dalja më e ulët është regjistruar në zonën e gjashtë zgjedhore që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe një pjesë të Kërçovës e të Dibrës (së Madhe). Mbi 1 milion e 800 mijë votues janë të regjistruar me të drejtë vote.

Rezultatet e para të zgjedhjeve pritet të dalin para mesnatës së të mërkurës, ndërsa shtabet e partive politike i nxjerrin edhe më herët dhe ato nuk ndryshojnë shumë nga rezultatet zyrtare të KSHZ-së.

Pretendentët kryesorë për të fituar zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev i Lidhjes Social-demokrate dhe Hristijan Mickovski i VMRO-DPMNE-së i shikojnë zgjedhjet e 15 korrikut si tepër të rëndësishme për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të vendit të tyre.

“Këto janë zgjedhje të ndryshme nga të gjitha të tjerat, por jo më pak të rëndësishme. Janë shumë të rëndësishme, sepse me rezultatin e këtyre zgjedhjeve do të dimë se në çfarë pozite dhe çfarë suksesi do të kemi në 4 vitet e ardhshme dhe si do të jetë jeta e qytetarëve në katër vitet e ardhshme”, u shpreh zoti Zaev pasi votoi në vendlindjen e tij, Strumicë në juglindje të vendit.

Ndërkohë, zoti Mickovski u shpreh se “Sot është dita kur populli flet me zë, dita kur fiton “Përtëritja”; Në bazë të asaj që mund ta vërejmë është gatishmëria për një ndryshim të madh që do të ndodh pikërisht sot më 15 korrik”, tha drejtuesi opozitar.

Ali Ahmeti i BDI-së votoi në fshatin e tij të lindjes, Zajaz afër Kërçovës. Ai pret që zgjedhjet të konfirmojnë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zoti Ahmeti është i bindur se partia e tij fiton zgjedhjet.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët që në zgjedhje doli në koalicion me Alternativën, pasi votoi në Livadhi të Strugës, theksoi pritjet për ndryshim. “Sot fuqia është në dorë të votuesit dhe jo në dorë të funksionarëve partiakë të cilët ndoshta ua kanë sjellur shpirtin në majë të hundës qytetarëve”, u shpreh zoti Sela.

Maqedonia e Veriut ndahet në gjashtë zona zgjedhore; Secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament. Në zonën e gjashtë zgjedhore ku ka më tepër votues shqiptarë janë kandiduar shumica e drejtuesve politik shqiptarë.

Zgjedhjet e parakohshme fillimisht ishin caktuar për më 12 prill, por për shkak të pandemisë ato u shtynë për një kohë më të mirë, duke shpresuar se muajt e verës do të jenë më të sigurt dhe virusi do të dobësohej. Vendi ka ngelur pa parlament që nga muaji shkurt dhe nga janari është në detyrë një qeveri teknike e cila nuk ka kompetenca të plota.

Procesi i zhgjedhor u vëzhgua nga dhjetra përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Mary Byrnes ka përshëndetur procesin duke theksuar në rrjetet sociale “kënaqësinë që sheh qytetarët e këtij vendi të marrin pjesë në një proces demokratik. Ekipe të ambasadës së SHBA-së po i bashkohen OSBE-së, shoqërisë civile dhe vëzhguesve ndërkombëtarë në mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe unë do të jemë bashkë me ta”, shkruan ambasadorja Byrnes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG