Lidhje

Shkup, në pritje të koalicionit të ri qeveritar


Shkup, në pritje të koalicionit të ri qeveritar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:53 0:00
Në pritje të zyrtarizimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, vëmendja tani është drejtuar tek përbërja e koalicionit të ri qeverisës.
Fitorja e social-demokratëve ndaj VMRO-së konservatore ishte shumë e ngushtë. Tani çelësi është tek partitë shqiptare për koalicionin qeveritar, teksa analistët vlerësojnë se bisedimet nuk do të jenë të lehta.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, nxorrën Lidhjen Social Demokrate me aleatët e saj të vegjël si fituese, ndërsa formimin e qeverisë nuk do ta ketë të lehtë, duke pasur parasysh numrin e forcave politike shqiptare në parlamentn e ri dhe raportet në mes tyre.

LSDM-ja ka 46 deputetë, ndonëse rezultatet nuk janë përfundimtare dhe ankesat e partive mund të bëjnë ndonjë ndryshim të vogël të numrave të ligjvënësve nëse përsëritet votimi në ndonjë prej qendrave ku Komisioni Shtetëror i Zgjedheve dhe gjykatat mund të konstatojnë parregullsi.

Që të formohet qeveria, nevojiten 61 deputetë, ose shumica e thjeshtë e parlamentit prej 120 vendesh ta votojë atë.

Analisti Albert Musliu i quan fituese partitë shqiptare që për herë të parë arritën të reflektojnë numrin zyrtar të popullatës me atë të deputetëve.

Zoti Musliu vlerëson se nuk do të ketë kushtëzime të ashpra dhe të prera nga partitë në bisedimet për qeverinë e re.

Sipas modelit tonë zgjedhor, mund të ndodhë që edhe me 1.000, 2.000 vota rinumërim, të ketë ndryshime serioze në numra, ashtu që mundësitë finale të negociatave.., prapë do të kisha pritur të kalojë afati i ankesave, eventualisht nëse kemi votim të përsëritur në vendvotime me qëllim që të kemi numrin final të votave. Në këtë moment, mundësia negociuese e dy anëve është vetëm me LSDM-në dhe BDI-në, ngase vetëm ato kanë numra si dy subjekte për të krijuar një shumicë të re. Nëse kemi ndryshime edhe të vogla, me rritje ose zvogëlim të 1-2 deputetësh, konstalacionet mund edhe të ndrrojnë”, thotë Albert Musliu.

Analisti Musliu mendon se partia e re “E Majta” që fitoi dy poste deputetësh nuk është e pranueshme për asnjërën prej partive shqiptare në një koalicion të përbashkët qeveritar, për shkak të qëndrimeve të saj nacionaliste dhe retorikës antishqiptare.

“Besoj se parlamenti i ardhshëm do të ketë tensione për shkak të sjelljes së pamatur dhe shoviniste, së paku të kryetarit të asaj partie”, thekson analisti.

Lidhur me variantin që të gjitha partitë shqiptare të hynin në koalicionin qeverisës dhe pasojat eventuale ndaj demokracisë tek shoqëria shqiptare për shkak të mungesës së opozitës në atë rast, zoti Musliu thekson se partitë shqiptare kanë provuar opozitën në mes tyre edhe brenda një kabineti qeveritar:

“Në qeverinë e tashme kemi dy subjekte politike shqiptare, të cilat janë kundërshtare me njëra tjetrën, bile edhe në këto zgjedhje të 2020-ës, Alternativa dhe BDI-ja si kundërshtare politike synonin të njejtat vota; edhe LSDM-ja me Lëvizjen Besa ishin kundërshtarë politikë me BDI-në dhe Alternativën dhe synonin të njejtat vota. Unë mendoj se nuk është e pamundur. Mund të ketë një ngadalësim të demokratizimit të shoqërisë shqiptare, por duke e njohur edhe strukturën e votuesve të këtyre subjekteve politike shqiptare, mundet që transferet (e deputetëve) të ishin shumë më të vogla. Edhe një variant i tretë, ku do të kishte bashkim qëndrimesh midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së që të shkohet në një cikël të ri zgjedhor, për çka besoj se për Maqedoninë (e Veriu) do të ishte e dëmshme dhe nuk do t’i ndihmonte synimet tona të integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë zoti Musliu.

Parlamenti i ri duhet të mblidhet njëzet ditë pas datës së zgjedhjeve. Pasi presidenti i vendit t’i japë mandatin partisë ose koalicionit fitues për formimin e qeverisë, ajo ka dhe po aq ditë në dispozicion për ta formuar kabinetin. Nëse nuk e arrin këtë, mandati i kalohet partisë së dytë më të madhe sipas rezultatit në zgjedhje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG