Lidhje

FBI: Avokati antifeminist, i dyshuar për sulmin në shtëpinë e gjykatëses


Një person që e kishte përshkruar veten si një avokat antifeminist, i njohur për paraqitje televizive gjatë të cilave fliste për të drejtat e burrave, u gjet i vdekur sipas zyrtarëve. Ai dyshohet për për sulmin me armë zjarri që la të vrarë djalin e një gjykatëseje federale dhe plagosi bashkëshortin e saj në Nju Xhërsi.

Zyrtarët thane se trupi i Roy Den Hollanderit, u gjet i vdekur të hënën në një zonë rurale pranë qytetit të Nju Jorkut dhe mesa duket bëhej fjalë për një sulm vetëvrasës.

FBI-ja tha se Hollander është “i dyshuari kryesor në sulmin” në shtëpinë e gjykatëses Esther Salas në Nju Xhërsi por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Hollander u shfaq i veshur si postier të dielën në banesën e gjykatëses Salas në qytetin North Bransuik. Bashkëshorti i saj, avokati mbrojtës, Mark Anderl, mbeti i lënduar nga sulmi, tha zonja Wolfson.

Djali i çiftit, Daniel Anderl, u vra kur zbriti nga kati i sipërm për të ndihmuar të atin, i cili ishte qëlluar sapo kishte hapur derën, njofton media.

"Ai zbriti shkallët. Në vend që të ikte të fshihej, vrapoi për të ndihmuar të atin,” tha Marion Costanza, një mik i familjes që banon pranë tyre në Bransuik.

Den Hollander ishte një persoanzh i njohur në television, për padi që sfidonin ato që ai i konsideronte shkelje të të drejtave të tij nga feministët, duke sjellë si shembull deri edhe “mbrëmjet për grate” nç bare, ku pijet ishin me çmim të ulët për femrat.

Den Hollander ishte i pandehur në një padi që u gjykua nga gjykatësja Salas për një grua që donte të regjistrohej në ushtri.

Ai gjithashtu kishte shkruar në mediat sociale, ku akuzonte Salasin se kishte përdorur origjinën e saj hispanike për t’u bërë gjykatëse federale.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr tha të hënën se “ky veprimi i paligjshëm, djallëzor kundër një anëtareje të gjyqësorit, nuk do të tolerohet”.

Gjykatësja Salas, e cila punon në Nuark, u emërua nga Presidenti Obama dhe emërimi i saj u konfirmua në 2011. Para punës si gjykatëse federale ajo ka punuar në Nju Xhërsi si ndihmës gjykatëse, ndërsa më parë ka qenë avokate mbrojtëse për shtatë vjet.

Ndër çështjet që ka gjykuar Gjykatësja Salas, më të bujshmet kanë qenë gjykimi për mashtrim financiar kundër çiftit Teresa dhe Joe Giudice, të njohur nga një emision televiziv “reality show”, të cilët gjykatësja i dënoi me burgim për avazion fiskal dhe mashtrime të tjera.

Në 2017, ajo nuk lejoi prokurorët federalë të kërkonin dënimin me vdekje kundër një individi të akuzuar si kreu i një bande kriminale, të akuzuar për disa vrasje në Nuark, duke thënë se kapaciteti i kufizuar mendor e mbronte personin nga dënimi kapital. Më pas gjykatësja i dha 40 vjet burg personit.

Kohët e fundit, gjykatësja ka drejtuar seancat gjyqësore kundër Deutsche Bank, pas padisë së investitorëve, të cilët e kanë akuzuar këtë bankë për dokumentacion mashtrues për politikat kundër pastrimit të parave dhe për dështim në përgjegjësinë e saj për të kontrolluar për klientë “të rrezikshëm”, përfshirë Jeffrey Epstein, i shpallur fajtor për krime seksuale.

Senatori demokrat Bob Menendez, i cili e mbështeti emërimin e zonjës Salas si gjykatëse federale, tha në një deklaratë të dielën “Jam pranë familjes Salas me lutjet e mia dhe lutem që personat përgjegjës për këtë akt të shëmtuar të kapen pa vonesë e të sillen para drejtësisë”.

Në një deklaratë të shpërndarë me email, guvernatori demokrat i Nju Xhërsit, Phil Murphy e cilësoi incidentin “një akt të pamendueshëm” dhe shtoi se “kjo tragjedi është një tjetër shembull që na kujton se dhuna nga armët e zjarrit mbetet një krizë në vendin tonë dhe se ende nuk ka përfunduar puna për t’i bërë komunitetet tona më të sigurta”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG