Lidhje

Hong Kong, fletushkat bosh bëhen simbol i protestave


Shfaqjet shumëngjyrëshe të mesazheve të ngjitura në mure, dikur shenja dalluese e lëvizjes së protestave të Hong Kongut, po zhduken tashmë me shpejtësi, me imponimin e ligjit të sigurisë kombëtare. Në vend të kësaj, disa dyqane po i mbulojnë muret e tyre me letra shënimesh bosh - një mënyrë për të sinjalizuar mbështetjen për kauzën, por pa rrezikuar arrestimin e autorëve të mesazheve.

Fletët e shënimeve bosh mbulojnë dritaren në kafenenë "Yu Yee" në Wan Chai.

Por, këto copa letre janë më shumë sesa thjesht një dekorim shumëngjyrësh - ato janë një formë e rezistencës.

Dyqanet ofruan hapësirë për njerëzit që të ngjisnin fletët me shënime ku shprehnin mbështetjen e tyre për lëvizjen protestuese në Hong Kong.

Por me ligjin e ri të ashpër të sigurisë kombëtare, këto shfaqje po zhduken me shpejtësi pasi njerëzit kanë frikë se mesazhet e tyre mund të përdoren për t'i ndjekur ata penalisht.

Kështu që disa po tregojnë përqasje krijuese - duke i mbajtur letrat e shënimeve, por duke i lënë ato bosh.

Është kjo një mënyrë për të kujtuar frymën popullore të protestave, dhe që simbolizon dëshpërimin e heshtjes së imponuar.

"Është thjesht një mënyrë tjetër për të shprehur kërkesat tona. Nëse nuk na lejoni të protestojmë në atë mënyrë, ne do të gjejmë një mënyrë tjetër për të protestuar", thotë Eddie Tsui, klient i kafenesë dhe një banor në pension i Hong Kongut në vitet '60.

Dyqanet që mbështesin kauzën e protestuesve njihen si dyqanet 'e verdha'.

"Kok Kok Chicken", një restorant fast-food në Tai Kok Tsui, është një tjetër restorant 'i verdhë'.

Pronari është i vendosur të shfaqë shënimet bosh.

"Ligji i Sigurisë Kombëtare është miratuar. Edhe mbajtja e copave të letrave të zbrazëta në protesta është kundër ligjit dhe mund të rezultojë në arrest", thotë Tan Wong. "Po e bëjmë këtë tani, sepse kjo është prona jonë private. Përpiqemi t'u tregojmë njerëzve në Hong Kong se kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë ne, 'dyqanet e verdha'. Nëse nuk këmbëngulim, nuk do t'ua japim dot më mesazhin tonë të tjerëve".

Ligji për sigurinë kombëtare të Hong Kongut, i vendosur në fuqi në orët e vona të 30 qershorit, i bën të paligjshme aktivitetet pro shkëputjes, rebelimet dhe aktet terroriste, si dhe ndërhyrjet e huaja në punët e brendshme të qytetit.

Çdo aktivitet, siç është thërritja e slloganeve ose mbajtja e flamujve dhe banderolave që kërkojnë pavarësinë e qytetit janë një shkelje e ligjit, pavarësisht nëse përdoret dhuna. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Disa mendojnë se mesazhet e shënimeve boshe janë ndër të paktat opsione të mbetura për të protestuar.

"Është një lloj forme e ndryshueshme e rezistencës", thotë Ma Ngok, Profesor i Asociuar në Departamentin e Qeverisjes dhe Administratës Publike në Universitetin Kinez të Hong Kongut. "Në të vërtetë, ato dyqane apo protestues të tjerë po përpiqen të tregojnë se janë akoma duke shprehur mendimin e tyre. Por për të shmangur pasojat ligjore, ata vendosin shënime bosh në mënyrë që edhe nëse qeveria dëshiron t'i ndjekë penalisht, të mos ekzistojë asgjë që mund të përdoret kundër tyre".

Në fillim të këtij muaji, protestuesit u mblodhën në një qendër tregtare në distriktin qendror të biznesit për të demonstruar kundër ligjit të ri të diskutueshëm të sigurisë kombëtare. Disa u panë duke mbajtur letra të bardha bosh - një veprim i përdorur nga demonstruesit për të protestuar kundër asaj që ata e quajnë "terrori i bardhë" i heshtjes së disidencës politike.

Tradita në Hong Kong e përdorimit të hapësirave publike dhe fletëshënimet për të treguar mbështetje për protestuesit u rrit në 2014.

Gjatë protestës që bllokoi qendrën e qytetit, një shkallë e madhe që çon në selinë e qeverisë së Hong Kong-ut ishte mbuluar nga mijëra shënime që mbartnin mesazhe mbështetjeje.

Për muaj të tëra, që nga qershori i vitit të kaluar, kjo shprehje proteste që protestuesit e kanë quajtur "Muret Lennon" u përhap në të gjithë Hong Kongun, nga nënkalimet periferike, në qendrat tregtare dhe stacionet e metrosë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG