Lidhje

Qeveria federale njofton 5 miliardë dollarë shtesë për shtëpitë e të moshuarve


Presidenti Donald Trump ka njoftuar se qeveria federale do të ofrojë 5 miliardë dollarë shtesë për ndihma, pajisje dhe trajnim për shtëpitë e të moshuarve, ku janë shfaqur një numër vatrash infeksioni të koronavirusit.

Presidenti tha se COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi, paraqet “rrezikun më të madh për qytetarët tanë të moshuar” dhe se “afro gjysma e vdekjeve të regjistruara kanë qenë në radhët e banorëve në shtëpitë e të moshuarve apo në klinika për pacientë të moshuar”.

Sipas përllogaritjeve federale, vdekjet nga COVID-19 ndër banorët e shtëpive për të moshuarit numërohen në rreth 37 mijë vetë nga rreth 143 mijë vdekje në shkallë vendi nga sëmundja.

“Dua të përcjell një mesazh përkrahjeje dhe shprese për çdo qytetar të moshuar që është përballur me këtë betejë në izolim, në këto vite që duhet të ishin periudha e artë e jetës,” tha presidenti të mërkurën gjatë konferencës për shtyp mbi koronavirusin.

“Do ta kalojmë këtë periudhë shumë shpejt, shpresojmë. Po shfaqet shpresa,” tha presidenti.

Shtëpitë për të moshuarit morën afro 5 miliardë dollarë ndihma federale nga Kongresi këtë vit. Paketa e re e ndihmave do të ndihmojë për të shtuar testimet, për të hartuar të dhëna për qendrat që kanë pasur ritme më të larta infeksioni si dhe për të ofruar trajnim dhe mbështetje për personelin. Qendrat e të moshuarve që kanë pasur banorë të infektuar do të trajtohen me përparësi.

Plani ekonomik i kandidatit Joe Biden

Njoftimi i presidentit pason publikimin një ditë më parë të elementëve të reja të planit ekonomik të pretendentit demokrat në zgjedhjet presidenciale, ish-nënpresidentit Joe Biden, ku zoti Biden parashtron vizionin e tij për kujdesin për fëmijët në moshë parashkollore, si dhe kujdesin për të moshuarit, me premtimin për të ofruar 12 javë pushim të paguar për nevoja për përkujdesjen e pjesëtarëve të familjes.

Po të mërkurën, gjatë diskutimeve për rihapjen e shkollave, presidenti u pyet nga gazetarët nëse nuk e ka problem që djali dhe nipat e mbesat e tij mund të rikthehen në shkolla.

"Nuk kam problem. Dua që shkollat të rihapen 100%. Dhe mund ta realizojmë pa rrezik, me kujdes,” tha presidenti, duke shtuar se vendimi përfundimtar u takon guvernatorëve.

Po të mërkurën, republikanë në Senat dhe Shtëpia e Bardhë thanë se kishin arritur një marrëveshje paraprake për paketën e re të ndihmave në përgjigje të koronavirusit, me vlerë 1 trilion dollarë.

Të mërkurën, më herët, qeveria federale njoftoi se do t’u paguante kompanisë farmaceutike amerikane Pfizer dhe kompanisë bioteknologjike gjermane BioNTech 1.95 miliardë dollarë për 100 mijë doza vaksine, nëse provohet se vaksina funksionon.

Kompanitë njoftuan të mërkurën se kishin arritur marrëveshje me Departamentin amerikan të Shëndetësisë për të dorëzuar pas realizimit vaksinën që ato po zhvillojnë së bashku. Qeveria ka nënshkruar marrëveshje me një numër kompanish farmaceutike që po punojnë paralelisht për të zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar tha të mërkurën për rrjetin Fox News se SHBA mund të blejë 500 milionë doza vaksine shtesë me kusht që vaksina “të mos shkaktojë probleme dhe të jetë efektive” kundër virusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG