Lidhje

Gjykata kanadeze anulon marrëveshjen me SHBA për azilantët


Një gjykatë kanadeze anuloi të mërkurën Marrëveshjen e Vendit të Tretë të Sigurtë me SHBA, duke deklaruar se disa elementë të ligjit shkelin kushtetutën kanadeze që garanton jetën, lirinë dhe sigurinë.

Por Gjykatësja Ann Marie McDonald e shtyu vënien në jetë të vendimit për gjashtë muaj, për t’i dhënë kohë për përgjigje parlamentit kanadez.

"Kam vendosur se klauzolat e ligjit shkelin ganacitë e seksionit të 7-të të Kartës,” tha gjykatësja duke iu referuar Kartës së të Drejtave në Kushtetutën e Kanadasë.

Sipas marrëveshjes, immigrantët që kërkojnë azil në Kanada dhe futen në Kanada nga SHBA përmes pikave kufitare, duhet të kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe të kërkojnë azil atje.

Por nëse futen në tokë kanadeze duke kaluar kufirin jo nga një pikëkalimi zyrtare, por në mënyrë ilegale, ata lejohen që të vazhdojnë procesin e aplikimit për azil në Kanada. Në pjesën më të madhe, refugjatët lejohen të jetojnë në Kanada duke përfituar nga sistemi zemërgjerë i ndihmave sociale, ndërkohë që presin përgjigje për kërkesën për azil, gjë që mund të kërkojë vite të tëra.

Vjet, organizata Amnesty International, Këshilli Kanadez për Refugjatët dhe Këshilli i Kishave Kanadeze ngritën padi duke argumentuar se qeveria kanadeze nuk ka garanci se personat e kthyer në SHBA do të jenë të sigurtë, bazuar në trajtimin e imigrantëve nga administrata Trump.

Akt-padia ngrinte si argument ndalimet në masë të azil-kërkuesve, të kthyer në SHBA nga Kanadaja, si dhe ndarjen e prindërve nga fëmijët, si shembuj të rrethanave “jo të sigurta” për azil-kërkuesit në Shtetet e Bashkuara.

Mary-Liz Power, zëdhënëse për Ministrin e Sigurisë Publike, Bill Blair, tha se ishin në dieni të vendimit të gjykatës.

"Megjithëse gjykata federale ka marrë vendim, zbatimi nuk hyn në fuqi deri më 22 janar 2021,” tha zonja Power përmes një deklarate me shkrim. “Marrëveshja e Vendit të Tretë të Sigurtë mbetet në fuqi”.

Të mërkurën, tre grupimet që paraqitën padi e përshëndetën vendimin dhe i bënë thirrje qeverisë kanadeze të mos e apelojë. Po ashtu ata u bënë thirrje autoriteteve kanadeze të ndalin menjëherë kthimin e azil-kërkuesve në SHBA.

‘Kjo nuk duhet lejuar”

"Marrëveshja e Vendit të Tretë të Sigurtë është bërë burim shkeljesh të të drejtave të njeriut për vite me radhë,” tha Alex Neve me Amnesty International, një ndër organizatat që paraqitën padi për të anuluar marrëveshjen. “Kjo nuk duhet lejuar të vazhdojë,” tha zoti Neve.

Përmes një deklarate, ligjvënësja e opozitës Jenny Kwan e Partisë së Re Demokratike e cilësoi vendimin një fitore të rëndësishme për të drejtat e azil-kërkuesve.

"Ky vendim do të shpëtojë jetë. Shpresojmë që Liberalët ta pranojnë vendimin, pa e apeluar pasi deri tani kanë humbur të drejtat shumë njerëz”.

Një email në adresë të Departamentit amerikan të Shtetit për reagime ndaj vendimit të gjykatës kanadeze ende nuk ka marrë përgjigje.

Një ish-atashe e Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Otavë, e cila punoi për të hartuar hollësitë e zbatimit të marrëveshjes, tha se vendimi i gjyqit është kritikë e drejtpërdrejtë ndaj politikave të qeverisë kanadeze për të kthyer azil-kërkues në SHBA, duke e cilësuar këtë akt shkelje të Kartës kanadeze për të drejtat e njeriut.

"Në linja të përgjithshme vendimi është kritikë edhe ndaj politikave të SHBA për të ndaluar azil-kërkuesit,” tha përmes një emaili të mërkurën Theresa Brown, tani drejtoreshë e imigracionit dhe politikave kufitare në Qendrën për Politika Dypartiake në Uashington.

Që kur Presidenti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë në 2017, dhjetëra mijëra njerëz kanë hyrë në Kanada duke kaluar kufirin ilegalisht, ku më pas janë arrestuar, por pastaj kanë pasur mundësi të bëjnë kërkesë për azil.

Shumë shtetas të huaj që vijnë nga vende të tjera në SHBA, udhëtojnë drejt pjesës veriore të shtetit të Nju Jorkut dhe shkojnë më pas në qytetin Çemplejn, ku rrugë fshati të çojnë në anën tjetër të kufirit, ku ata kalojnë më këmbë dhe pas arrestimit, bëjnë kërkesën për azil dhe presin në liri.

Në kushtet e pandemisë, ata që futen ilegalisht tani kthehen menjëherë në vendin nga erdhën.

Organizatat që ngritën padi argumentojnë se me braktisjen e marrëveshjes, azil-kërkuesit do të kenë kurajon të paraqiten në pikat e kalimit kufitar, gjë që do t’u japë fund kalimeve të paligjshme të kufirit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG