Lidhje

Tiranë: Presidenti Meta fton partitë të vazhdojnë dialogun me mirëkuptim


Presidenti i Shqipërisë, Iliri Meta, siguroi sot diplomatët europianë se do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara nga parlamenti, duke respektuar marrëveshjen e 5 qershorit.

Tiranë, Presidenti fton partitë të vazhdojnë dialogun
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Zoti Meta i bëri këto komente pas një takimi me ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar.
Presidenti Meta theksoi se ka rëndësi të veçantë vazhdimi i punës në Këshillin Politik vetëm me konsensus dhe gjithëpërfshirje.
“Çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjësojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë” - deklaroi presidenti Meta pas takimit me diplomatët europianë.

Pas këtij takimi, zoti Meta zhvilloi një tjetër takim me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës Lulzim Basha, me të cilin bisedoi sërish mbi dekretimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që dolën nga marrëveshja e 5 qershorit.
“Zotit Basha i kërkova të vazhdojë punën në Këshillin Politik me frymën e konsensusit, duke mos rënë pre e provokimeve” - theksoi presidenti Meta.

Një ditë më parë parlamenti me shumicë socialiste miratoi me 99 vota ndryshimet në Kodin zgjedhor të dakortësuara më 5 Qershor mes Partisë Socialiste dhe opozitës jashtë parlamentareKryeministri Edi Rama deklaroi në sallë se shumica nuk po votonte me zemër, por si shenjë e një kompromisi të nevojshëm, duke njohur se demokratët dhe aleatët e tyre janë një realitet politik i pamohueshëm.
Votat për marrëveshjen e 5 qershorit u dhanë dhe nga pjesa dërrmuese e opozitës parlamentare, e cila në këmbim ka marrë mbështetjen e socialistëve për ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë listave të hapura dhe shmangin koalicionet në formën e organizimit të deritanishëm.

Demokratët dhe aletatë e tyre e kanë kundërshtuar me forcë një akt të tillë që sipas tyre do të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit, duke folur për një vendim të njëanshëm.

Por kryeministri Edi Rama, pohoi se ndryshimet kushtetuese do të votohen javën e ardhshme në parlament.

Miratimi i Marrëveshjes së 5 qershorit u përshëndet nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. “Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

Edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë përshëndetën votimin e sotëm, duke theksuar se “përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020”. Sipas delegacionit të BE-së “dispozitat e reja legjislative do t'i japin Shqipërisë një kuadër zgjedhor me integritet dhe standarde transparence më të larta, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”.

Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë gjithashtu e mirëpriti vendimin e parlamentit, duke nënvizuar më pas faktin se “si me çdo reformë tjetër, zbatimi është kyç. Ne mbetemi te gatshëm t’i ndihmojmë autoritetet shqiptare në këtë rrugë, si edhe për zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vijojnë dialogun për reforma të mëtejshme”, përfundon deklarata e OSBE-së.

Në reagimet, si të ambasadës amerikane ashtu dhe të përfaqësuesve europianë, nuk janë lënë jashtë vëmendjes, ndryshimet e pritshme kushtetuese. Sipas ambasadës së SHBA-ve “mënyra gjithëpërfshirëse dhe transparente”, me të cilën u realizua Marrëveshja e 5 qershorit “duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike”.

Delegacioni i Bashkimit europian nga ana e tij vë në dukje se “jemi në dijeni të propozimeve shtesë për reformën e sistemit zgjedhor. Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”, thekson deklarata e Delegacionit europian. Në të njejtën linjë, u shpreh për këtë çështje dhe komisioneri Varhelyi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG