Lidhje

30 vjetori i Ligjit për Amerikanët me Aftësi të Kufizuara


President George Bush signs the Americans with Disabilities Act during a ceremony on the South Lawn of the White House July 26, 1990.

Rreth një në katër të rritur në Shtetet e Bashkuar ka një aftësi të kufizuar. Por falë Ligjit për Amerikanët me Aftësi të Kufizuara që u miratua 30 vjet më parë dhe që ndalon diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuara, miliona njerëz kanë qenë në gjendje të jetojnë duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.

Vite më parë, diskriminimi ndaj personave me aftësi të kufizuara shpesh fillonte që në lindje.

"Kur u linda, një doktor ia shpjegoi nënës diagnozën time në këtë mënyrë: 'Djali juaj është një xhuxh si ata në cirk.' Pra, me atë fjali, ai në thelb përcaktoi tërë të ardhmen time", tha aktori Danny Woodburn.

Por për fat të mirë, kohërat kanë ndryshuar.

Woodburn vazhdoi të ketë një karrierë të suksesshme të aktrimit, duke u shfaqur në më shumë se 30 filma dhe duke bërë më shumë se 150 paraqitje televizive, përfshirë ato në serialin televiziv popullor Seinfeld.

Suksesi i tij pasqyron ndikimin e Ligjit për Amerikanët me Aftësi të Kufizuara, ADA.

"ADA ose Ligji për Amerikanët me Aftësi të Kufizuara, është një ligj i rëndësishëm që ne me të vërtetë do të dëshironim që të gjithë ta dinë se është një ligj i të drejtave civile. Siç e dimë, vendi ynë ka një histori të pasur të të drejtave civile. Individët me aftësi të kufizuara nuk ishin pjesë e këtij ligji dhe me kalimin e kohës u bë e qartë se ata nuk po integroheshin ashtu si grupet e tjera të margjinalizuara më parë", tha Karen Goss, bashkëdrejtore e Qendrës ADA

I nënshkruar në ligj nga Presidenti George H.W. Bush në vitin 1990, ADA siguroi mbrojtje kundër diskriminimit për miliona amerikanë në shkollim, punësim dhe në të gjitha vendet publike dhe private. Kjo përmirësoi qasjen dhe cilësinë e jetës për miliona njerëz.

"Unë mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme që arriti të bënte ligji për amerikanët me aftësi të kufizuara është krijimi i mundësive të barabarta në shumë fusha", tha Karen Goss, bashkëdrejtore e Qendrës ADA.

Por në fushën e punësimit për personat me aftësi të kufizuara, zonja Goss e pranon se shifrat mbeten të ulëta. Në vitin 2019, më pak se 20 për qind e të rriturve me aftësi të kufizuara kishin një vend pune, sipas Byrosë së Statistikave të Departamentit amerikan të Punës.

Kjo është një nga arsyet e nevojës për më shumë mbështetje për këtë grup, thotë aktori Danny Woodburn.​

"Dhe një pjesë e angazhimit tim në industrinë time ka qenë ndryshimi i peizazhit të punësimit të aktorëve me aftësi të kufizuara për shembull, sepse tek fëmijët ekziston besimi se pamja ka një rol përcaktues."

Por shumë nga dispozitat e ligjit kanë përmirësuar jetën e njerëzve, madje edhe të atyre pa aftësi të kufizuara.

Ndryshimet në trotuare dhe rreth shkallëve për të lehtësuar lëvizjen me karriget me rrota, për shembull, ndihmojnë të tjerët.

"Pas instalimit të tyre, njerëzit filluan të shohin gjithnjë e më shumë shfrytëzimin e tyre nga nënat për lëvizjen e karrocave me fëmijë dhe nga gratë shtatëzëna", tha aktori Danny Woodburn.

Shkëmbimi i mesazheve sms lindi nga teknologjia e përdorur për të ndihmuar njerëzit që kanë probleme me dëgjimin.

"Ia kemi borxh këtë komunitetit të personave të shurdhër dhe nevojës së tyre për ta patur atë lloj qasjeje", tha aktori Danny Woodburn.

Woodburn thotë se me krijimin i këtyre lehtësive në botë, shoqëria filloi të shihte më shumë persona me aftësi të kufizuara dhe kjo ndihmoi në pakësimin e stigmatizimit të tyre.

Ndërsa ADA feston 30 vjet të përparimit të jetës së miliona amerikanëve, Woodburn thotë se ka ende shumë hapësirë për përmirësime.

"Ne duhet të jemi të përfshirë, në çdo aspekt, kështu që shpresa ime është që kushdo që ka një diskutim mbi rritjen e diversitetit, qoftë si avokat ose si një udhëheqës korporate, që aty gjithmonë të përfshihen edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, pavarësisht se kjo mund ti bëjë të ndjehen të parehatshëm", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG