Lidhje

SHBA, zgjerohen protestat kundër padrejtësisë racore


Në rrugët e SHBA-së vazhdojnë protestat kundër padrejtësive racore. Protestat në Portland të Oregonit nisën dy muaj më parë, më 25 maj kur afrikano-amerikani George Floyd humbi jetën në dyart e policisë së Mineapolisit të shtetit të Minesotës.

Administrata Trump ka dërguar forca federale të zbatimit të ligjit në Portland gjë që ka nxitur edhe në shumë tensionet. Demonstruesit po protestojnë tashmë edhe kundër pranisë së trupave federale në qytet.

Në Siatëll policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi 45 veta të shtunën pas demonstrash që shpërthyen në mbështetje të protestave në Portland. Policia tha se më shumë se 20 oficerë policie ishin plagosur.

Mbrëmjen e së shtunës në Austin të Teksasit një person u vra me armë zjarri gjatë një marshimi të përfaqësueve të lëvizjes Black Lives Matter.

"Është e tmerrshme që dikush të vdesë ndërsa proteston", tha kryetari Steve Adler i Austin në një deklaratë. Zoti Adler tha se ndihet "zemërthyer e pafjalë".

Në Luisvill të Kentakit, një grup protestuesish të armatosur bën thirrje për drejtësi për Breonna Taylor-in, një afrikano-amerikane e cila vdiq në Louisville kur policia hyri pa paralajmërim në shtëpinë e saj dhe e qëlloi me armë zjarri.

I dashuri i zonjës Taylor qëlloi i pari ndaj oficerëve, duke menduar se ishin hajdutë. Si pasojë e incidentit u shkarkua nga puna një oficer policie, por nuk janë ngritur akuza ndaj oficerëve të tjerë.

Udhëheqësi i grupit NFAC, një milici afrikano-amerikanësh të armatosur të përfshirë në protesta, kërkoi që hetimi nga ana e policisë mbi vrasjen e zonjës Taylor të jetë më transparent.

Policia njoftoi se tre anëtarë të NFAC-së u plagosën të shtunën kur njëra prej armëve të tyre u shkrep aksidentalisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG