Lidhje

Sondazhi AP-NORC: Ankthi shton mbështetjen për Joe Bidenin, votuesit e Trumpit të zjarrtë


Democratic presidential candidate former Vice President Joe Biden speaks at a campaign event at the Colonial Early Education Program at the Colwyck Training Center, Tuesday, July 21, 2020 in New Castle, Del. (AP Photo/Andrew Harnik)

Murtice Sherek nuk është e entuziazmuar për Joe Biden-in.

Një demokrate nga Minesota, infermierja 79 vjeçare në pension, preferoi një tjetër kandidat në zgjedhjet paraprake. Ajo gjithashtu shqetësohet për moshën e Biden-it. Ai është 77 vjeç. Por e shqetësuar për prespektivën e katër viteve të tjera të presidentit Donald Trump, ajo thotë se është e gatshme të bëj të pamundurën për të siguruar që Bideni të fitojë këtë vjeshtë.

"Sinqerisht do të bëja çdo gjë. Nëse duhet të mbaj shenja në rrugë, nëse duhet të çoj miqtë e mi më të moshuar në votime, do ta bëja", thotë Sherek. "Kjo thjesht nuk mund të vazhdojë. Trumpi është një njeri i sëmurë."

Gati tre muaj para ditës së zgjedhjeve, një sondazh i ri nga agjensia Associated Press dhe Qendra NORC e Studimeve të Çështjeve Publike tregon se mbështetësit e Biden-it janë më pak entuziastë sesa ata të Donald Trumpit - si për fushatën ashtu edhe për vetë kandidatin e tyre - edhe pse koalicioni i demokratëve mund të motivohet në mënyrë të barabartë nga ankthi që ndjejnë votuesit.

Sidoqoftë, sondazhi zbulon se publiku amerikan është në kundërshtim me politikat eTrumpit për maskat, për balancimin e kufizimeve për të ndaluar virusin me përpjekjet për të ndihmuar ekonominë dhe për rihapjen e plotë të shkollave. Dhe votuesit i japin Biden-it vlerësime më të larta në shumë tipare pozitive që vlejnë për udhëheqjen e vendit në kohën e koronavirusit, përfshirë ndershmërinë, aftësinë dhe kujdesin.

Vlerësimi i zonjës Sherek për kandidatët nxjerr në pah motivimet e ndryshme që janë në themel të të ashtuquajturit hendek në entuziazmin mes dy grupeve të votuesve. Kjo ka ngritur shqetësime mes aleatëve të zotit Biden që kanë frikë se mungesa e entuziazmit mund të minojë kandidaturën e tij kur të fillojë votimi.

Ndërsa interesimi për fushatën presidenciale është i lartë për të gjithë, vetëm 31% e mbështetësve të zotit Biden thonë se janë të entuziazmuar, krahasuar me 42% të mbështetësve të Trumpit. Koalicioni për zotin Biden është i ushqyer nga emocione më negative: 72% e mbështetësve të Bidenit, krahasuar me 52% e mbështetësve të Trumpit, thonë se ndjehen të shqetësuar për fushatën e vitit 2020. E njëjta pabarazi ekziston edhe për zhgënjimin me zgjedhjet, 65% për mbështetësit e Bidenit dhe 45% për ata të Trumpit.

Anya Kumar, një 18-vjeçare e diplomuar në shkollën e mesme në Kolumbia, të Mizurit do të votojë për Biden-in këtë vjeshtë, por pranon se shumë nga miqtë e saj të rinj që kundërshtojnë Trumpin, nuk ndjejnë shumë pasion për ish-nënpresidentin. Shumë prej tyre as nuk janë regjistruar për të votuar, thotë ajo.

"Në pjesën më të madhe, njerëzit që unë njoh me të vërtetë nuk e duan Trumpin" thotë Kumar, duke pranuar se ajo është e motivuar më shumë nga ankthi për rizgjedhjen e Trumpit sesa nga entuziazmi i vërtetë për rivalin e tij demokrat. "Nëse Biden nuk fiton, do të ishte shumë keq".

Ekipi i Biden-it në përgjithësi e hedh poshtë idenë e një hendeku në entuziazmin e votuesve. Ekipi thotë se me zvogëlimin e nivelit të mbështetjes për Trumpin, ka më shumë mbështetës me energji të lënë pas. Në të vërtetë, miratimi për punën e presidentit Trump në sondazhin e ri qëndron në nivelin 38%, brenda intervalit që ka patur gjatë gjithë presidencës së tij, por poshtë nga nivelet më të larta në fillim të këtij viti.

Vetëm 32% e votuesve miratojnë mënyrën se si presidenti Trump po e menaxhon pandeminë, një pikë e ulët që pason një rënie të qëndrueshme nga fillimi i krizës. Ndërsa mbështetësit e Trump-it pothuajse njëzëri miratojnë performancën e tij në përgjithësi, 2 në 10 amerikanë nuk e miratojnë përgjigjen e tij ndaj pandemisë.

Stacey Rogus, 43 vjeç, republikane nga Glendejll, Arizona, e cila punon në industrinë e mjekësisë, pranon disa shqetësime për presidentin Trump. Ajo thotë se presidenti është narcisist, nuk vepron siç "i takon një presidenti" dhe nuk mendon para se të flasë. Por zonja Rogus është e vendosur të votojë për të për herë të dytë për shkak të politikave të tij ekonomike dhe mbështetjes për ndërtimin e murit kufitar SHBA-Meksikë.

Ajo gjithashtu dyshon se kundërshtarët politikë të Trump-it janë duke e ekzagjeruar kërcënimin e pandemisë për të dëmtuar rizgjedhjen e tij. Ajo thotë se koha e shpërthimit është "pak e çuditshme".

"Ai nuk e bëri virusin", thotë Rogus. "Mbase partia demokrate e krijoi atë vetëm për ta bërë presidentin të dukej keq". (Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare ka përjashtuar mundësinë që virusi të jetë prodhuar nga njeriu duke nënvizuar se ky është edhe konsensusi shkencor.)

Sondazhi zbuloi gjithashtu se votuesit në përgjithësi preferojnë karakterin dhe vlerat e Biden-it. Rreth 6 në 10 votues të regjistruar thonë se vlerat si "kujdesja për njerëzit", "sinqeriteti" dhe "udhëheqës i fortë" nuk shkojnë për shtat me Trump-in. E njëjta përqindje thotë se këto karakteristika i shohin të mishëruara më mirë tek Biden-i.

Lidhur me pyetjen nëse të dy janë "të aftë" - pyetje që ka të ngjarë të pasqyrojë pikëpamjet e votuesve për mprehtësinë mendore të secilit prej tyre dhe aftësinë për të qeverisur - 43% thonë Trumpi kundrejt 56% që thonë Bideni është më i aftë. Trump, 74 vjeç dhe aleatët e tij kanë bërë sulme kundër moshës së Biden-it dhe aftësisë së tij mendore duke e bërë qendër të mesazhit të tyre.

Trump ka një avantazh - ai mban qëndrim për atë që beson. Shtatëdhjetë përqind mendojnë se kjo cilësi e përshkruan Trump-in të paktën disi mirë, përfshirë 54% që mendojnë se e përshkruan atë shumë mirë. 63% mendojnë se qëndrimi për besimet e tij është cilësi që i shkon për shtat zotit Biden të paktën disi mirë, por vetëm 36% mendojnë se kjo cilësi e përshkruan atë shumë mirë.

Terrance Berinato, një demokrat 72-vjeçar nga Front Rojal, Virxhinia, i cili tha se do të votojë përfundimisht për Biden-in dhe e përshkruan Trump-in si "periudha e presidentit më të keq që kemi pasur ndonjëherë". Ai pranon se mbështetësit e Trump-it mund të jenë më entuziastë për kandidatin e tyre, por ai parashikon se nuk do të kishte rëndësi duke pasur parasysh se mbështetja e përgjithshme për Trump-in po zvogëlohet.

"Jam i sigurt se mbështetësit e Trump-it, 30% ose 40% e njerëzve që do ta ndiqnin atë në ferr, janë shumë të entuziazmuar," thotë Berinato.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG