Lidhje

Vazhdojnë përplasjet partiake për paketën e re të asistencës


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u bëri thirrje republikanëve në Senat dhe Shtëpisë së Bardhë të shpejtojnë negociatat për një paketë të re asistence për më shumë se 16 milionë amerikanët që kanë humbur punën nga pandemia.

Ndërkohë që Presidenti Trump dhe udhëheqësit e Senatit po përgatiteshin të nxirrnin paketën e ndihmave me vlerë prej 1 trilion dollarësh, zonja Pelosi u bëri thirrje palëve negociuese të vijnë në zyrën e saj për të negociuar një marrëveshje me demokratët, të cilët këmbëngulin për një paketë prej 3 trilionë dollarësh për të stimuluar ekonominë amerikane.

“Koha po mbaron,” tha zonja Pelosi. “Nëse republikanët shqetësohen për familjet punëtore, nuk do të vonojnë”.

Por në Uashingtonin e mbërthyer nga përçarjet politike, republikanët dhe demokratët nuk po bien dakord për shumën e ndihmave federale për amerikanët e papunë.

Qeveria federale u ka paguar miliona amerikanëve të papunë 600 dollarë në javë, por këto ndihma skadojnë të premten. Shtëpia e Bardhë dhe republikanët duan që shuma e ndihmave të shkurtohet në 200 dollarë në javë, ndërsa demokratët kërkojnë që pagesa e asistencës të vazhdojë të jetë 600 dollarë në javë deri në fund të 2020.

Larry Kudlow, këshilltar ekonomik i Presidentit Trump
Larry Kudlow, këshilltar ekonomik i Presidentit Trump

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë thanë të dielën se shuma më e vogël, së bashku me ndihmat që marrin nga shtetet përkatëse u ofron punonjësve 70% të pagës që kishin para se të humbisnin punën, duke e bërë këtë totale “goxha bujare” tha këshilltari i Presidentit Trump për ekonominë, Larry Kudlow.

Dy partitë politike po ashtu nuk janë dakord mbi ndihmat e tjera në përgjigje të pandemisë. Ata po diskutojnë edhe imunitetin ligjor të bizneseve që janë hedhur ose mund të hidhen në gjyq pasi mund të kenë rrezikuar shëndetin e punonjësve duke i ekspozuar ndaj virusit. Republikanët kërkojnë që bizneset të mbrohen nga padi të tilla gjyqësore, demokratët janë kundër kësaj ideje.

Me afrimin e së premtes kur skadojnë shumat e asistencës për amerikanët e papunë, Shtëpia e Bardhë dhe republikanët kanë kërkuar miratimin sa më parë të një pakete më të vogël ndihmash, hollësitë e së cilës të dalin në javët në vazhdim. Zonja Pelosi këmbëngul për miratimin e një pakete të plotë. Ajo kritikoi planin e republikanëve si të pamjaftueshëm:

“Fëmijët janë të uritur, familjet nuk paguajnë dot qeranë, po u skadon asistenca e papunësisë dhe republikanët duan që procesi i miratimit të bëhet me fragmente”.

“Kemi pritur prej dy muajsh që të vijnë të negociojnë me ne,” tha ajo, duke i ftuar republikanët të vijnë në zyrën e saj për negociata.

Republikanët kundërshtojnë vazhdimin e pagesave në shumat aktuale, pasi thonë se shumë amerikanë po marrin më shumë para në muaj duke mos punuar se gjatë punësimit.

Sipas një ankete, një e pesta e punonjësve që u larguan nga puna nuk pranuan të kthehen kur i thirri punëdhënësi, pasi pagesat e asistencës ishin më të larta se paga.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG