Lidhje

Ndryshimet kushtetuese, ambasada SHBA: PD-LSI nuk mund të injorohen


Në Shqipëri ambasada amerikane deklaroi sot se pavarësisht se parlamenti i vendit ka kompetencën për të miratuar legjislacionin, opozita jashtëparlamentare përfaqëson një pjesë domethënëse të elektoratit shqiptar dhe nuk mund të injorohet. Komentet e ambasadës i paraprijnë seancës së nesërme të parlamentit ku parashikohet të miratohen ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe shmangin koalicionet parazgjedhore në mënyrën se si ato janë organizuar deri më tani. Një vendim i tillë është kundërshtuar me forcë nga opozita jashtëparlamentare

Shqipëri, ambasada amerikane për ndryshimet kushtetuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca, ndërmjetësuan disa javë më parë Marrëveshjen e 5 Qershorit mes socialistëve dhe opozitës jashtëparlamentare. Por atyre ju desh të angazhohen sërish në takime mes palëve, pasi socialistët u deklaruan në favor të ndryshimeve Kushtetuese, të cilat prekin elementë të rëndësishëm të sistemit zgjedhor. Nga njëra anë listat e kandidatëve do të duhet të jenë të hapura, dhe nga ana tjetër, koalicionet, nuk mund të organizohen si deri më tani, ku secila parti përbërëse ka listën e saj.

Ambasada amerikane bëri të ditur sot se zonja Kim ka patur biseda të shumta rreth kësaj çështjeje, me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin demokrat Lulzim Basha. Sipas njoftimit, ambasadorja Kim ka nënvizuar tre pika. E para lidhet me Marrëveshjen e 5 Qershorit “e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, dhe duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të”. Së dyti, ambasadorja amerikanë ka njohur faktin se “Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin”, por duke nënvizuar si pikë të tretë, se “edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë”, thekson deklarata.

Sipas ambasadës amerikane “gjithëpërfshirja dhe transparenca me të cilat partitë arritën Marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare”.

Ndonëse palët janë riulur disa herë në tryezën e Këshillit Politik, dallimet duket se mbeten të forta. Opozita jashtëparlamentare javën e shkuar u shpreh në favor të hapjes 100 përqind të listave, por pa prekur formulën e koalicioneve, duke u pozicionuar prerazi kundër “çdo ndryshimi të njëanshëm të Kushtetutës”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij ka qenë po kaq i prerë, dhe qëndrimin e tij e ripërsëriti edhe dje në sallën e parlamentit: “Në 30 korrik, ne do votojmë, a më shumë e as më pak, atë për të cilën kemi rënë dakort. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europën ku duam të integrohemi”.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara, nuk e përjashtojnë mundësinë që listat të jenë 100 për qind të hapura dhe se dicka e tillë do të përcaktohet në ndërhyrjet e mëpasshme në Kodin Zgjedhor.

Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “drejtuesit politik kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, theksohet në tekst.

Ambasadori i BE-së Soreca, në një intervistë për gazetën Panorama duket se ishte më i drejtpërdrejtë kur kujtoi se “marrëveshja thoshte qartë që çdo nismë e mëtejshme duhet të diskutohet midis të gjitha palëve me të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje si marrëveshja e 5 qershorit”.

Opozita jashtëparlamentare shprehet se po vihet përballë faktit të kryer dhe ka kërkuar të punohet për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë. Ajo ka thirrur një tjetër mbledhje të Këshillit politik sot pasdite.

SERISH PA KOMPROMIS TAKIMI MES PALEVE

Eshtë mbyllur pa asnjë kompromis takimi mes socialistëve dhe opozitës jashtëparlamentare për ndryshimet kushtetuese. Opozita propozoi që Kushtetuta të preket vetëm në një nen, dhe të hiqet vetëm një fjali që lidhet me listat e mbyllura.

Propozimi ynë garanton atë që duan njerëzit, hapjen e listave, ajo që kërkon mazhoranca është krejt gjë tjetër”, tha përfaqësuesi demokrat Oerd Bylykbashi pas 5 orësh mbledhje. “Për gjithë këto orë kemi kërkuar motivet e refuzimit dhe, në mënyrë të vazhdueshme, Partia Socialiste ka refuzuar të japë arsyen “pse” nuk ndalet nga ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës, që ka për synim vetëm një gjë, nuk ka për synim hapjen e listave; ka për synim vetëm që të ndryshojë rregullat e lojës të zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme, vetëm 6 muaj para se të fillojë regjistrimi i subjekteve zgjedhore”, deklaroi zoti Bylykbashi.

Por përfaqësuesin socialist Damian Gjiknuri, propozimi i opozitës jashtëparlamentare nuk është një ofertë kompromisi. “Kërkesa e tyre synon të shtyjë votimin e amendimeve kushtetuese dhe për të sabotuar këtë proces që tanimë ka nisur. Doli e qartë se ndryshimet kushtetuese nuk pengojnë hapje n e listave 100 për qind dhe as nuk pengojnë koalicionet. Në frymën e bashkëpunimit jemi të gatshëm të ulemi për të shkruar rregullat se si do hapen listat dhe se si do formohen koalicionet duke marrë për model një vend demokrat të hapësirës së OSBE/ODIHR-it që ka sistem proporcional me lista të hapura. U kërkuam të gjejnë modelin e një vendi që parashikon koalicione parazgjedhore që znatohen në sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura. Fatkeqësisht nuk po gjejnë një vend të tillë”, deklaroi zoti Gjiknuri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG