Lidhje

BE sanksione ndaj zbulimit rus dhe kompanive kineze e koreano-veriore


Bashkimi Evropian vendosi sanksione financiare si dhe ndaloi udhëtimin e zyrtarëve të departamentit të shërbimit ushtarak rus të zbulimit dhe kompanive nga Koreja e Veriut dhe Kina për pjesëmarrjen e tyre të dyshuar në sulme të mëdha kibernetike në të gjithë botën.

Në sanksionet e saj të para që kanë të bëjnë me krimin kibernetik, BE-ja shënjestroi departamentin për Teknologji Speciale të shërbimit sekret ushtarak rus, i njohur si Drejtoria kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, thuhej në një deklaratë. BE-ja akuzoi shërbimin rus se kishte kryer dy sulme kibernetike në qershor 2017, të cilat goditën disa kompani në Evropë duke rezultuar në humbje të mëdha financiare.

Shërbimet ruse janë akuzuar gjithashtu edhe për dy sulme kibernetike kundër rrjetit energjetik të Ukrainës në 2015 dhe 2016. Ndaj katër individëve që punojnë për shërbimin e zbulimit ushtarak rus u vendosën gjithashtu sanksione lidhur me dyshimet për pjesëmarrje e tyre në një sulm kibernetik të mbetur në tentativë kundër Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) në Holandë në prill të 2018.

Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj kompanisë së Koresë së Veriut "Chosun Expo" nën dyshimin se kishte mbështetur grupin "Lazarus", i cili konsiderohet përgjegjës për një seri sulmesh të mëdha në të gjithë botën, përfshirë vjedhjen e 81 milionë dollarëve në llogarinë e Bankës së Bangladeshit që ndodhet në Bankën Qëndrore të Nju Jorkut në vitin 2016, sulmi më i madh kibernetik në botë. Kompania dyshohet se është e lidhur edhe me një sulm kundër studios Hollivudiane të prodhimit të filmave "Sony Pictures" për të parandaluar shfaqjen e një filmi satirik mbu udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un në 2014.

Vitin e kaluar Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj grupit "Lazarus" dhe dy grupeve të tjera të Koresë së Veriut për pjesëmarrjen e tyre të dyshuar në sulmet ndaj "Sony Pictures" dhe Bankës Qendrore të Bangladeshit, ndër të tjera.

Sipas zyrtarëve amerikanë pas grupeve të hakerave qëndron shërbimi kryesor i zbulimit i Koresë së Veriut. Pheniani ka mohuar të jetë përfshirë në ndonjë sulm kibernetik.

Sanksionet e BE-së goditën gjithashtu firmën kineze "Haitai Technology Development", që akuzohet se ka mbështetur sulme kibernetike, të njohura si operacioni "Cloud Hopper", që synonin vjedhjen e të dhënave të ndjeshme tregtare të kompanive që operojnë në disa vende të botës. Sansione u vendosën edhe ndaj dy shtetasve kinezë që dyshohet se ishin përfshirë në sulme. Sanksionet përfshijnë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjet e pasurive të tyre. Shtetas, kompanive dhe subjekteve evropiane ndalohen gjithashtu të kryejnë veprimtari me personat e futur në listën e zezë.

Misioni diplomatik kinez në Bashkimin Evropian tha në një deklaratë të premten se Kina "është një mbrojtës i vendosur i sigurisë në internet dhe një nga viktimat më të mëdha të sulmeve të hakerave". Kina dëshiron që siguria globale në internet të garantohet përmes "dialogut dhe bashkëpunimit" dhe jo me sanksione të njëanshme, thuhej gjithashtu në deklaratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG