Lidhje

Joe Biden nuk do të shkojë në Milwaukee për të pranuar emërimin


Joe Biden nuk do ta pranojë emërimin zyrtar si kandidat presidencial i Partisë Demokrate, në kuvendin e partisë në Milwaukee për shkak të shqetësimeve për koronavirusin, tha Partia Demokrate të mërkurën.

Ish-nënpresidenti Biden që do të përballet me Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, kishte planifikuar të shkonte në qytetin Milwaukee të shtetit Wisconsin këtë muaj për të pranuar emërimin demokrat.

Komiteti Kombëtar Demokrat (DNC) tha se asnjë nga folësit e kuvendit të vitit 2020, nuk do të shkojë në Milwaukee për të parandaluar vënien në rrezik të komunitetit pasi zyrtarët e shëndetit publik "e kishin vënë theksin tek keqësimi i pandemisë së koronavirusit".

Detajet e fjalimit të zotit Biden do të bëhen të njohura më vonë, tha Komiteti Kombëtar i Demokratëve.

"Që nga fillimi i kësaj pandemie, përparësia jonë ka qenë shëndeti dhe siguria e popullit amerikan. Ne ndoqëm shkencën, dëgjuam mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik dhe vazhdojmë t'i modifikojmë vendimet për planet tona, që të mbrojmë jetët e njerëzve", tha kryetari i Komitetit Demokrat, Tom Perez në një deklaratë.

Ndërkohë Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se mund ta mbajë fjalimin e emërimit si kandidat për president nga Partia Republikane drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, megjithëse planet ende nuk janë konfirmuar.

“Jemi duke e menduar. Jemi duke menduar për ta mbajtur (fjalimin) nga Shtëpia e Bardhë," tha Presidenti në një intervistë për Fox News.

“Është zgjidhja më e lehtë. Do të ishte shumë më pak e kushtueshme për vendit nga pikëpamja financiare", tha ai.

Ai tha se plani nuk ishte vendosur përfundimisht, sepse dikush shihte vështirësi për zbatimin e tij, por nuk dha hollësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG