Lidhje

Dokumentar për gratë në polici


Vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në maj në duart e policisë së Mineapolisit ka rindezur diskutimet nëse prania e më shumë grave në forcat e zbatimit të ligjit, mund të ulë përdorimin e forcës së tepëruar. "Women in Blue", një dokumentar i kohëve të fundit nga Deidre Fishel përqëndrohet tek aftësia e uljes së tensioneve nga oficeret gra në departamentin e policisë në Mineapolis. Dokumentari paraqet gjithashtu sfidat për gratë në një fushë të mbizotëruar nga burrat.

Në dokumentarin e saj "Women in Blue" Deidre Fishel paraqet disa nga sfidat me të cilat përballen punonjëset e policisë, ndërsa ato ndihmojnë në trainimin e oficerëve kundër përdorimit të tepërt të forcës në departamentin e policisë në Mineapolis.

Oficerja Alice White është një nga instruktoret.

“Ne komunikojmë me njerëz, të cilët janë përdhunues, vrasës. Ndonjëherë është e vështirë të tregosh respekt për njerëz të tillë. Kështu që, në mendjen time duhet të heq paragjykimet dhe të sillem me profesionalizëm. Për sa kohë që je profesionist, do të trajtohesh me respekt".

Filmi u bën jehonë studimeve, një në fillim të viteve 1970 nga Fondacioni Kombëtar i Policisë, që arrin në përfundimin se oficeret gra veprojnë më pak agresivisht dhe besojnë në përdorimin më pak të forcës sesa homologët e tyre burra.

"Unë thjesht e dija se doja të bëja një film që eksploron atë që gratë mund të sjellin në këto kohë shumë të trazuara që vendi ka kaluar me dhunën e policisë."

Në një skenë të dokumentarit tregohet komunikimi mes një polices Alice White dhe një personi të ndaluar nga ajo. Këto janë fjalët e përdorura nga policja White: ​"Përshëndetje! E di pse të ndalova? Qetësohu. Po dukesh nervoz. Qetësohu. Gjithçka është në rregull".

“Duket qartë në këtë rast që personi i ndaluar nga oficerja Alice u përball me dike që u tregua e ngrohtë dhe që kishte në focus mirëqënien e tij dhe jo thjesht ligjin”, tha zonja Fishel.

Por filmi tregon gjithashtu se gratë mbeten të mënjanuara duke përbërë vetëm 16% të departamentit të policisë në Mineapolis.

"Shefi i policisë nuk ka zgjedhur asnjë femër për ekipin e tij ekzekutiv. Unë kam një respekt të madh për shefin Rondo por gjëja që më lëndon më shumë është se në një profesion të mbizotëruar nga zërat e burrave ata po humbasin prespektivën e një gruaje", thotë oficerja Chatherine CJ Johnson.

Në Seattle, shefja e policisë Carmen Best thotë se në departamentin e saj reklamimet për vende pune janë hartuar për të tërhequr grate në forcën policore.

“Ne duam të tregojmë më shumë gra. Ne duam t'i tregojmë gratë në pozicione të ndryshme. Duam të sigurohemi që puna e policit nuk është gjithmonë ndjekja e makinave dhe armët e zjarrit dhe zbritjet dramatike nga ndërtesat”, thotë Carmen Best.

Shumë nga ato që bëjmë nuk kanë të bëjnë me zënkat por më shumë me aftësitë mendore. Mundësinë për të treguar dhimbshuri dhe për të punuar me njerëzit.

"Nuk është vetëm se kemi nevojë për më shumë gra, por kemi nevojë për shumë më tepër gra me ngjyrë. Unë mendoj kjo është ajo ku duhet të përqëndrohet transformimi i mundshëm i departamentet tona të policisë”.

Dokumentari tregon se ka pak oficere afrikano-amerikane që avancojnë në karrierë si oficerjaAlice White.

"Është e rëndësishme për komunitetin afrikano-amerikanë të shohë gra që duken si unë në këtë rol", thotë Alice.

Shefja e policisë Best tregon përvojën e saj për rritje në karrierë në radhët e policisë.

“Disa ishin mbështetës ndërsa të tjerët jo dhe kjo është e zakonshmja. Por zgjidhja që i dhashë kësaj pengese ishte - ‘ky është problemi i tyre, jo i imi. Unë jam këtu të bëj punën. Jam këtu për të bërë më të mirën që mundem’ dhe vërtetë besoj se ndërsa ngjitesh vetë në karrierë duhet të ndihmosh edhe të tjerët”, thotë shefja e policisë Carmen Best.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG