Lidhje

Sekretari Pompeo përgatitet për turne në Evropën Qendrore


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është i përkushtuar të mbështesë dhe thellojë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e Evropës Qendrore, thotë Departamenti i Shtetit. Shefi i diplomacisë amerikane niset për në Evropë javën e ardhshme për një turne në këtë rajon që do të përfshijë ndalesa në Republikën Çeke, Slloveni, Austri dhe Poloni.

Ambasadori Philip Reeker, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike tha në një konferencë me gazetarë në përgatitje për udhëtimin, se ky është një rajon i rëndësishëm për aleancën transatlantike, por edhe për lidhjet me shtetet përkatëse, si Republika Çeke, Sllovenia dhe Polonia që kanë lënë pas komunizmin dhe janë sot aleatë të fortë.

Ambasadori Reeker nënvizoi rëndësinë e Republikës Çeke për angazhimet ndërkombëtare, përfshirë Afganistanin, Irakun si edhe Sirinë, ku forcat çeke shërbejnë si trupa mbrojtëse për amerikanët.

Sekretari i Shtetit do të ndodhet në rajon ndërkohë që zhvillohen ceremoni dhe aktivitete përkujtuese të 75-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Pompeo mbërrin në Republikën Çeke më 11 gusht dhe më pas, më 13 gusht, do të shkojë në Slloveni, vizita e tij e parë në këtë vend që nga 2001. Ambasadori Reeker theksoi se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë zotimin e Sllovenisë për të përmbushur detyrimet e saj në NATO dhe për të adresuar problemet me rekrutimet ushtarake. Zoti Reeker vuri në dukje rolin e Sllovenisë në nxitjen e stabilitetit dhe sigurisë dhe mbështetjen e ambicjeve euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Sllovenia shpenzon 2/3 e buxhetit të saj të ndihmave ndërkombëtare në projekte në ndihmë të Ballkanit Perëndimor.

SHBA dhe Sllovenia pritet të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për sigurinë e rrjetit 5G që synon të mbrojë privacinë dhe integritetin e rrjeteve dhe infrastrukturës së komunikimit.

Më pas, po më 13 gusht, shefi i diplomacisë amerikane do të ndalet në Austri ku do të takohet me Kancelarin Kurz, dhe ministrin e jashtëm Schallenberg si dhe zyrtarë të lartë austriakë. Shtetet e Bashkuara, tha zoti Reeker në konferencën për shtyp, e shohin Austrinë si pikë takimi mes Lindjes e Perëndimit, si një qendër e dialogut dhe negociatave ndërkombëtare.

Më 15 gusht Sekretari amerikan i Shtetit do të shkojë në Poloni, ndërkohë që polakët shënojnë 100 vjetorin e fitores mbi forcat sovjetike në Betejën e Varshavës. Këtë muaj festohet gjithashtu 40-vjetori i themelimit të Lëvizjes Solidarnos që luajti një rol të rëndësishëm për rrëzimin e komunizmit në Evropën Qendrore e Lindore.

Ambasadori Reeker renditi projektet ndërkombëtare ku Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë nga afër me Poloninë. Ai përshëndeti marrëveshjen e fundit me Poloninë, e cila garanton se Varshava zyrtare do të shpenzojë 2% të buxhetit bruto për mbrojtjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG