Lidhje

Shkodër: Ndikimi i pandemisë tek trashëgimia kulturore dhe historike


Shkodër: Ndikimi i pandemisë tek trashëgimia kulturore dhe historike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Në Shqipëri, pandemia COVID-19 ka patur ndikimin e saj edhe në sektorin e trashëgimisë kulturore. Siç njofton nga Shkodra korrespondenti ynë Pëllumb Sulo, ka rënë ndjeshëm numri i vizitorëve të huaj për shkak të mbylljes së kufjve me vendet e rajonit. Edhe vizitorët vendas janë pakësuar.

Muzeu historik i qytetit të Shkodrës hap çdo ditë dyert e tij, por të paktë janë ata që hyjnë për të vizituar dëshmitë e shumta historike dhe kulturore që ruhen brenda mjediseve të tij. Drejtoresha e muzeut, Amila Gjyrezi, thotë se periudha e pandemisë COVID-19 ka ndikuar ndjeshëm edhe në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

"Për shkak të pandemisë gjendja është shumë dramatike. Në krahasim me vitet e tjera kemi një zbritje me 90 përqind të numrit të turistëve. Kjo për shkak të pandemisë, mbylljes së kufijve dhe, mund të themi, se edhe turizmi i brendshëm e ka ndjerë shumë këtë situatë", thotë ajo.

Pandemia ka ndikuar edhe në shtyrjen e aktiviteteve të programuar nga muzeu siç është edhe përkujtimi i 100 vjetorit të lindjes së Arshi Pipës, i cili pak muaj para vdekjes ia dhuroi këtij muzeu bibliotekën personale dhe arkivën e familjes Pipa.

Drejtoresha e trashëgimisë kuturore për qarqet veriore të Shqipërisë: Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin, Majlinda Laçej, thotë se pas tre muajve të parë të izolimit, tashmë po vërehet se ka rinisur një interesim i ngadaltë për të vizituar objektet e shumta të trashëgimisë kulturore që gjenden në këtë zonë.

"Është e justifikueshme, pavarësisht se ne dëshirojmë të kemi tjetër qasje pasi kemi patur tjetër pritshmëri, por kushtet shëndetësore, sociale dhe ekonomike, tashmë si shkak i pandemisë, kanë ndikuar normalisht edhe tek vizitorët. Për hir të vërtetës kemi një tendencë të vogël në rritje tani në muajin gusht, kemi një përmirësim të numrit të vizitorëve në krahasim me muajt që kaluam", thotë ajo.

Drejtoresha Laçej thotë se, në këtë kohë pandemia, kur kufijtë janë mbyllur, është e rëndësishme të tërhiqen vizitorët vendas. Për këtë, është ulur çmimi i biletave për të vizituar objektet e trashëgimisë kulturore, janë shtuar masat e sigurisë si dhe janë sjellë në formatin e vidiove prezantuese objektet e trashëgimisë kulturore.

Ndërkohë, specialistët kanë vazhduar punën për hartimin e projekteve dhe për restaurimin e objekteve të trashëgimise kulturore që gjenden në zonën veriore të Shqipërisë.

"Procesi i punës nuk është ndaluar për asnjë moment. Kemi dërguar edhe projekte për miratim, të cilat një pjesë janë miratuar dhe një pjesë janë në fazën e zbatimit. Kemi bërë ndërhyrje në Kalanë e Lezhës, po vazhdojmë me Mullirin e Bajram Currit në Tropojë, do fillojmë së shpejti restaurimim e Kalasë së Shkodrës, Urës së Mesit. Pra, kemi një numër projektesh që do të vihen në zbatim në javët që vijnë", thotë zonja Laçej.

Por drejtoresha e Muzeut historik të Shkodrës thotë se kërkohet një bashkëpunim më i mirë i institucioneve për të nxitur, në këtë periudhë të pandemisë, vizitat në qendrat e trashëgimisë kulturore.

"Unë do të kisha dashtë një mbështetje më të madhe, krijimin e një task-force përsa i përket tre muzeve të Shkodrës. Mbështetje nga institucionet dhe agjencitë private për të nxitur sa më shumë turizmin e brendshëm deri në momentin kur do të hapen kufijtë", thotë zonja Gjyrezi.

Ende nuk është e qartë se deri kur pandemia do të shtrijë ndikimin e vet në sektorin e trashëgimisë kulturore, ndaj drejtuesit e këtyre institucioneve në Shkodër e shikojnë si mundësi për të dalë nga kjo krizë afrimin e vizitorëve vendas përmes promovimit më të mirë të vlerave të kësaj trashëgimie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG