Lidhje

Çikago, Plaçkitje masive, arrestime dhe shkëmbim zjarri


Policia në Çikago shkëmbeu zjarr me plaçkitësit që vidhnin artikuj nga biznese në qytet. Sipas zyrtarëve të rendit, mbi 100 vetë u arrestuan pasi turma u vërsul në zonën komerciale me dyqane luksoze, duke plaçkitur, duke thyer xhama dhe duke u përleshur me policinë për orë të tëra.

Shefi i Policisë së qytetit, David Brown i quajti incidentet “kriminalitet i pastër” dhe Kryebashkiakja Lori Lightfoot u përpoq të theksonte dallimet mes këtyre incidenteve dhe “kryengritjes së përligjshme” pas vdekjes së George Floyd në duart e policëve në Mineapolis më 25 maj.

"Kjo nuk ishte një protestë e organizuar, por një incident “kriminalpastër,” tha zoti Brown në një konferencë për shtyp.

Të paktën 13 policë u plagosën dhe një roje sigurie si dhe një civil u goditën nga plumba, tha zoti Brown.

Në median sociale u postuan imazhe të dyqaneve të vandalizuara dhe njerëzve që futeshin dhe rrëmbenin artikuj. Pjesa më e madhe e incidenteve u regjistruan në bulevardin Miçigan, ku ndodhet edhe segmenti “Magnificant Mile” me dyqane luksoze.

Para shpërthimit të incidenteve, në median sociale u postuan një numër thirrjesh për të plaçkitur bizneset në qendër të Çikagos, pas shtimit të tensioneve që rezultuan kur një polic qëlloi me armë zjarri një person, tha zoti Brown.

Policët po merrnin në pyetje një 20-vjeçar, kur ai u largua me shpejtësi dhe u kthye të qëllonte në drejtim të policëve. Policët u përgjigjën me zjarr, duke e goditur të dyshuarin, i cili është në spital dhe mendohet se nuk është në rrezik për jetën.

“Pas incidentit, filloi të grumbullohet turma. Gjakrat ishin ndezur, të nxitura nga dizinformimi ndërkohë që afronte nata,” tha zoti Brown.

Pas postimeve në median sociale, autoritetet dërguan 400 policë në qendër të qytetit, ku panë një rresht makinash që po mbërrinin në zonë. Pasi policët arrestuan një person që kishte në duar kasën e një biznesi, një makinë në lëvizje filloi të qëllonte në drejtim të policëve, tha zoti Brown.

Shefi i policisë, David Brown, është betuar se policia do të përgjigjet me vendosmëri, ndërkohë që ka mobilizuar policët për turne ditore prej 12-orësh dhe ka anuluar pushimet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG