Lidhje

Shtëpia e Bardhë, e hapur për negociata me demokratët për paketën e ndihmave


Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se është e hapur për negociata me demokratët e opozitës lidhur me paketën e ndihmave në përgjigje të koronavirusit dhe se është e gatshme të ofrojë më shumë fonde për të arritur një zgjidhje.

“Jemi të gatshëm të ofrojmë më shumë para,” tha Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin për rrjetin CNBC.

Presidenti Donald Trump nënshkroi të shtunën urdhra ekzekutivë duke zgjeruar ndihmën e papunësisë për miliona amerikanë që kanë humbur punën nga pandemia si dhe duke lejuar më shumë kohë për të paguar taksat mbi të ardhurat. Në një koment të ri në Twitter, presidenti nuk përjashtoi mundësinë për nagociata të mëtejshme, por fajësoi udhëheqësin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer si dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi për dështimin e bisedimeve të së premtes.


“Tani Schumer dhe Pelosi duan të takohen për të diskutuar një marrëveshje,” tha në Twitter presidenti. “Sa e çuditshme si shkojnë gjërat. Ku kanë qenë këto katër javë kur këmbëngulnin në qëndrimin e tyre dhe donin fonde vetëm për shtetet e drejtuara nga demokratët, të cilët po dështojnë keq? Ma dinë numrin e telefonit”.

Në intervistën me kanalin CNBC, zoti Mnuchin tha: “Mendoj se ka vend për kompromis, nëse demokratët janë të gatshëm të tregohen të arsyeshëm. Ka ende plot gjëra që duhet të bëjmë”.

Pas dështimit të bisedimeve javën e kaluar, zoti Schumer dhe zonja Pelosi thanë se demokratët do të heqin 1 trilion dollarë nga paketa origjinale prej 3.4 trilionë dollarësh që ata kanë ofruar si variantin demokrat. Ata i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të dyfishojë propozimin e saj prej 1 trilion dollarësh për ta çuar paketën në të paktën 2 trilionë dollarë, por administrata nuk ka pranuar.

Sekretari i Thesarit tha se administrata Trump është e gatshme të shpenzojë më shumë fonde, por “jo sasi të pakufizuara parash pa kuptim”.

Zoti Mnuchin tha se dy palët kanë “rënë dakord për t’u ofruar bizneseve që janë goditur më rëndë ndihma të reja,” duke ndarë çeqe ndihmëse prej 1200 dollarësh për pjesën më të madhe të amerikanëve të rritur, duke mbështetur me fonde shkollat që të arrijnë të rihapen pa rrezik për nxënësit e personelin, si dhe mbështetje me fonde për spitalet si dhe për kompanitë që po punojnë për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit.

Një ndër pikat e fërkimit mbetet ndihma për qeveritë lokale, që Presidenti e sulmoi duke e cilësuar si “fonde për të shpëtuar” distrikte që drejtohen nga demokratët e opozitës. Zonja Pelosi dhe zoti Schumer thanë se shtetet dhe bashkitë e goditura nga pandemia kanë nevojë në total 1 trilion dollarë.

“Kemi parashikuar fonde për të ndihmuar qeveritë lokale, por nuk do të japim 1 trilion dollarë. Nuk është zgjidhje e arsyeshme,” tha Sekretari Mnuchin.

Sekretari i Thesarit i bëri thirrje Kongresit të miratojë paketën, ndërkohë që mund të vazhdojnë më pas debatet për elementë të veçantë të paketës. Por demlokratët nuk duan negociata dhe debate për zëra të veçantë të paketës.

Sekretari Mnuchin nuk pranoi të spekulonte kur mund të rifillojnë negociatat.

Zoti Mnuchin tha se presidenti e pa të nevojshme të hidhej në veprim dhe nënshkroi urdhrat ekzekutivë, pasi negociatat dështuan.

Në intervista të dielën, zoti Schumer dhe zonja Pelosi kritikuan propozimin e Shtëpisë së Bardhë si shumë të kufizuar për nevojat aktuale të amerikanëve të pushuar nga puna si rezultat i koronavirusit. Zonja Pelosi tha se veprimet e presidentit ishin jo-kushtetuese sepse vetëm Kongresi dhe jo presidenti, ka të drejtën e miratimit të akteve për shpenzime buxhetore.

Motorists take part in a caravan protest in front of Senator John Kennedy's office at the Hale Boggs Federal Building asking for the extension of the $600 in unemployment benefits to people out of work because of the coronavirus in New Orleans, La.
Motorists take part in a caravan protest in front of Senator John Kennedy's office at the Hale Boggs Federal Building asking for the extension of the $600 in unemployment benefits to people out of work because of the coronavirus in New Orleans, La.


Demokratët u përpoqën gjatë negociatave të pasuksesshme të zgjasnin ndihmën e papunësisë prej 600 dollarësh në javë deri në fund të vitit. Presidenti e uli këtë shifër në 400 dollarë në javë dhe tha se shtetet individuale duhet t’u paguajnë personave që përmbushin kriteret 100 dollarë nga kjo shumë.

Presidenti gjithashtu ka pezulluar deri në fund të vitit taksën e të ardhurave prej 7.65% për ata që marrin rrogë më të vogël se 100 mijë dollarë në vit. Amerikanët e papunë nuk përfitojnë pasi aktualisht nuk marrin rrogë. Taksat shërbejnë për të mbështetur fondin e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor për amerikanët e moshuar. Këto pagesa shtyhen për të ardhmen, nëse Kongresi nuk miraton një akt legjislativ për t’i falur taksat.

Presidenti Trump tha se po zgjat mbrojtjen ligjore për qeraxhinjtë që rrezikojnë të dëbohen pasi nuk kanë paguar qeranë. Po ashtu presidenti u dha kohë shtesë amerikanëve për të shlyer pagesat e borxhit studentor, duke e mbajtur në 0% interesin për kredi studentore të dhëna nga qeveria federale.

Pandemia vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht numërohen në total mbi 5 milionë raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa sëmundja ka shkaktuar mbi 163 mijë viktima. Në të dyja këto kategori, Shtetet e Bashkuara renditen të parat në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG