Lidhje

Shkup: Presidenti Pendarovski i dorëzon të enjten mandatin social-demokratit Zoran Zaev


Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka bërë të ditur se do t’i dorëzojë të enjten mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Kabineti i presidentit thotë se ky i fundit, “në emër të koalicionit zgjedhor 'Mundemi' që fitoi numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet e 15 korrikut, e ka njoftuar presidentin rreth bisedimeve me partitë politike për sigurimin e shumicës së nevojshme në parlament për formimin e qeverisë”.

Ndërkohë, paralajmërimi i Presidentit Pendarovski nuk është mirëpritur nga kryetari në largim i Parlamentit, Talat Xhaferi, i cili ka caktuar vazhdimin e seancës së parlamentit për të enjten pasdite, ndërsa është shprehur për median se “Kam kuptuar përmes mjeteve të informimit për ndarjen e mandatit (zotit Zaev) që sipas Kushtetutës do të thotë se Zaev e ka shumicën në parlament dhe është i gatshëm për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, me çka do të përfundojë seanca hapëse e parlamentit”.

Ndërkaq, Presidenti Pendarovski e konsideron të kryer seancën hapëse të përbërjes së re të parlamentit, edhepse nuk është zgjedhur kryetari i ri, duke llogaritur kështu afatin kushtetues dhjetë ditor për ndarjen e mandatit partisë më të madhe nga dita e seancës së parë të parlamentit që u mbajt më 4 gusht.

Socialdemokrati Zaev ka zhvilluar bisedime të ndara me krerët e partive shqiptare lidhur me koalicionin e ri qeverisës, por asgjë nuk është thënë zyrtarisht nëse ndodhen pranë një marrëveshjeje.

LSDM-ja ka 46 vende përfshirë katër deputetët e Lëvizjes Besa, me të cilën doli së bashku në zgjedhje. Asaj i duhen edhe 15 vota për ta miratuar kabinetin qeveritar.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si partner i koalicionit qeveritar me LDSM-në gjatë 2016-2020, e që i ka pikërisht 15 deputetë për qeverinë e re me ish-aleatin maqedonas, ka vendosur kushte duke kërkuar, sipas burimeve brenda partisë, që kryeministri në vitin e parë të jetë kandidati i saj Naser Ziberi, ndërsa në tre vitet tjera posti t’i lihet LSDM-së.

Por, kjo e fundit e shikon këtë si shantazh dhe paraqitje nacionaliste të partisë shqiptare. BDI-ja, jozyrtarisht, kërkon po ashtu që posti i kryetarit të parlamentit të ushtrohet me një lloj rotacioni; përkatësisht në kohën sa do ta drejtonte qeverinë ajo, kryeparlamentari të jetë i partisë maqedonase dhe anasjelltas.

Ndërkohë, kreu integrist Ali Ahmeti ka ftuar në takim po për të enjten në drekë kryetarët e partive parlamentare shqiptare: Ziadin Selën dhe Afim Gashin të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Aternativa, Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa dhe Menduh Thaçin e Partisë Demokratike Shqiptare.

Z. Ahmeti kishte për qëllim të bisedohej lidhur me procesin e zgjedhjeve dhe qeverinë e re duke vazhduar tryezën e 2017-s të partive shqiptare, që në opinionin publik maqedonas u quajt “Platforma e Tiranës”.

Por, zotërinjtë Sela dhe Gashi i kanë kthyer përgjigje me kërkesë për mbajtjen e këtij takimi pas datës 17 gusht dhe me një axhendë të qartë, ndërsa z. Bilall Kasami ka njoftuar se nuk do të shkojë në takim.

Sidoqoftë, bisedimet për kabinetin e ri qeveritar nuk janë të lehta, teksa edhe VMRO-DPMNE-ja konservatore thotë se po bën takime me parti të caktuara për formimin e qeverisë.

Nëse z. Zaev nuk arrin që brenda një afati prej njëzet ditësh pasi ta ketë marrë mandatin, ta sigurojë shumicën në parlament, atëherë mandati i kalohet partisë së dytë më të madhe, e kështu me radhë.

Qeverinë e re e presin shumë punë; së parti ballafaqimi me gjendjen e koronavirusit, por dhe përgatitjet për bisedimet me Bashkimin Evropian, lufta kundër korrupsionit e reforma në gjyqësor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG