Lidhje

Basta! Të rinjtë italianë nuk duan t’ia dinë më për distancim fizik 


Dasmë në mes të Romës, në mes të pandemisë
Dasmë në mes të Romës, në mes të pandemisë

Italianët 20-vjeçarë nuk e durojnë më këtë situatë. Për një grup miqsh, një ditë e freskët gushti i ka tërhequr në një bar në mes të sheshit të vjetër mesjetar dhe asnjë nuk do t’ia dijë për koronavirusin.

Ata i shohin paralajmërimet për sëmundjen si një mjet i burokratëve për të kontrolluar popullatën. Një vajzë e re shpreh revoltim ndaj kufizimeve:

“E gjithë kjo është punë politike,” thotë ajo kur e pyet gazetari i Zërit të Amerikës se përse janë mbledhur në një grup të madh, duke sfiduar këshillat për distancim fizik?

Kriza si pandemia gjithmonë nxjerrin në pah përçarjet ekzistuese. Në Itali, prej kohësh ka pasur mospajtime mes brezit të ri dhe atij më të vjetër. Të rnjtë italianë shprehen të revoltuar ndaj kontrollit që ushtrojnë mbi atdheun e tyre brezat më të moshuar. Tregu i punës favorizon punonjësin ekzistues; rregullat e bëjnë të vështirë pushimin e punonjësve, gjë që nuk krijon mundësi për punësim për të rinjtë.

Afro 30% e italianëve nën 34-vjeç janë pa punë, ose duke vazhduar studimet. Strukturat qeveritare nuk kanë forma për t’i angazhuar në ndonjë aktivitet punësimi, prandaj shumë prej të rinjve më të arsimuar largohen nga Italia në emigracion.

Të rinjtë e shohin problemin si rezultat i një qendrimi egoist të brezit më të moshuar për të ruajtur kontrollin mbi ekonominë. Ndërsa ata kanë në dorë hisen më të madhe të mundësive ekonomike, të rinjve u mbeten vetëm thërrimet.

Të rinjtë që janë në marrëdhënie pune paguajnë 50% më shumë taksa se brezat e mëparshëm dhe pensionet që pritet të marrin brezat e ardhshëm mund të jenë pas disa dekadash sa gjysma e pensioneve që marrin pensionistët e sotëm.

Të rinjtë që kanë hapur biznese ankohen se nuk arrijnë të marrin kontratat e majme publike, pasi zakonisht këto u akordohen njerëzve që kanë lidhje politike, të cilët përgjithësisht i përkasin brezit më të vjetër.

Kur shpërtheu pandemia, Italia u bë epiqendra e parë e Evropës. Të rinjtë fillimisht i ndoqën me seriozitet rregullat, duke përqafuar një ndjenjë solidariteti kombëtar që mendohej se kishte vdekur në Italinë e sotme. Italianët treguan solidaritet gjatë periudhës më të rëndë të pandemisë por gradualisht filluan të shfaqin padurim.

Me ngrohjen e motit, ata e kishin të pamundur t’i rezistonin tundimit të detit dhe bareve.

Duke lëvizur me makinë përmes rajonit përreth Romës, Italia dukej shumë ndryshe nga pamja e zakontë, shkruan gazetarja e Zërit të Amerikës. Dukej sikur vendi i përkiste të rinjve, megjithëse tradicionalisht Italia është vend i mbushur me të moshuar, pasi ka një ndër popullatat më të plakura në botë.

Por në kohën e koronavirusit, të moshuarit ruheshin duke qëndruar në shtëpi, të rnjtë filluan të dilnin. Në sheshet e bukura të qyteteve italine shiheshin tani grupe të rinjsh.

“Na mbyllën brenda për disa muaj. Por jo më!,” thotë 25-vjeçari Paolo, një i papunë me diplomë universitare. Ai ka dalë për një birrë në një lokal të qytezës Sutri, një orë larg Romës.

Se si kjo rezistencë e rinisë ndaj diktatit të brezit më të moshuar do të reflektohet në zhvillimet politike është bërë temë diskutimesh e strategëve politikë.

Në zgjedhjet e marsit 2018, të rinjtë votuan kryesisht për dy parti: Lëvizjen MoVimento 5 Stelle, ose MS5, e krijuar nga humoristi Beppe Grillo, si dhe për Lega-n, partinë e krahut të djathtë me pikëpamje të forta anti-imigracion të Matteo Salvinit.

Këto zgjedhje sollën një tërmet politik në Itali, duke e lënë klasën ekzistuese politike të shtangur dhe të papërgatitur për rezultatin.

Zgjedhjet e ardhshme janë në 2023. Analistët parashikojnë se problemet ekonomike të shkaktuara nga pandemia do të rezultojnë në avantazh të zotit Salvini.

Në shumë aspekte duket se ora ka ngecur në Itali. Edhe pas krizës dërrmuese të 2008-ës, sheshet, muzeumet dhe restorantet ishin plot me turistë. Në vit afro 6 milionë amerikanë dhe 4 milionë kinezë vizitojnë këtë vend. Por tani, masat kundër futjes së turistëve nga SHBA dhe Rusia mbeten në fuqi në shumë qytete dhe zona turistike.

Turistët kinezë kishin sjellë një ringjallje të fshtrave të fjetura mesjetare. Tani këto zona kanë mbetur pa të ardhura.

Turistët evropianë mund të vijnë në Itali, por frika e pandemisë i ka kufizuar numrat. Në këto kushte shumë italianë po shijojnë turizmin brenda atdheut të tyre, që tani së paku mund ta gëzojnë pa u përballur me turmat marramendëse.

Kjo ka krijuar një Itali që të kujton vitet 1970 kur plazhet dhe sheshet e Italisë ishin plot me italianë, jo aq me të huaj.

“Ne gjithmonë bëjmë pushimet jashtë shteti,” thotë një biznesmen milanez duke folur në një restorant me gazetaren e Zërit të Amerikës, duke përmendur Nju Jorkun, Londrën, Floridën dhe Parisin. “Tani po bëj pushimet këtu me fëmijët dhe po me ringjallen kujtimet e fëmijërisë. Me ka mbushur me nostalgji. Në fakt kjo ka qenë ndër gjërat më të bukura që kam përjetuar këtë vit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG