Në të njëjtën ditë kur Partia Demokrate fillon kuvendin e saj, Presidenti Trump vizitoi zonat qendrore të vendit në vazhdën e fushatës së tij.
Në ndalesa në Minesota dhe Uiskonsin të hënën, në aktivitete me të gjitha tiparet e fushatës: muzikën rok që ka shoqëruar tubimet e tij, nën parullën e fushatës “Ta bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe,” duke folur para grupeve të vogla, për shkak të kufizimeve të pandemisë, zoti Trump akuzoi rivalin e tij se nuk ia ka idenë që është bërë kukull e “fashistëve të së majtës”.
Fitorja e kundërshtarëve demokratë, paralajmëroi zoti Trump, do të nënkuptonte kufij të hapur, kolaps ekonomik dhe katastrofa të tjera.
“Në Amerikën e Joe Biden-it, mbrojtjet që ofron shtetësia amerikane do të hiqeshin, komunitetet tuaja do të mbeteshin në mishirë të turmave,” tha presidenti në aeroportin Mankato të Minesotës.
Më pas, gjatë një aktiviteti të ngjashëm në aeroportin Oshkosh të Uiskonsinit, presidenti tha “askush nuk do të jetë i sigurtë në Amerikën e udhëhequr nga Joe Biden,” duke akuzuar se dyshja pretendente e demokratëve, Biden dhe Harris “janë pro krimit dhe kundër policëve”.
Zoti Trump u prezantua mjaft mirë në Minesota në 2016. Zonja Hillary Clinton siguroi atje një fitore të ngushtë.
“Për sa i përket strategjisë, presidenti po ndjek taktikën që i fryn frikës së klasës së mesme të bardhë përballë protestave e trazirave,” tha për Zërin e Amerikës, Jennifer Delton, pedagoge në Kolegjin Skidmore. “Protestat pas vdekjes së George Floyd, trazirat, vandalizmi dhe thirrjet për të ndalur financimin e policisë, janë shqetësuese për shumë banorë të Minesotës pavarësisht se nga anojnë politikisht,” thotë zonja Delton.
Minesota në pjesën më të madhe të shekullit të 20-të dallohej për traditën progresiste liberale, nga e cila dolën dy nënpresidentë të Partisë Demokrate: Hubert Humphrey dhe Walter Mondale. Por që nga vitet 1980, ajo traditë është sfiduar nga segmente të ndryshme të konservatorëve.
"Në të njëjtën kohë, shteti është bërë tepër i larmishëm me komunitete të forta, politikisht aktive të aziatikëve dhe somalezëve", tha profesorja Delton.
Përveç vizitave në aeroportet në Mineapolis dhe Mankato të Minesotës dhe Oshkosh të Uiskonsinit, presidenti do të shkojë të martën edhe në qytetin kufitar të Jumas në shtetin jugperëndimor të Arizonës. Dy ditë më pas, ai ka në plan të shkojë afër qytetit të fëmijërisë të ish-nënpresidentit Biden, në Skranton të Pensilvanisë. Kjo do të ndodhë në të njëjtën ditë kur ish-nënpresidenti Biden do t’u drejtohet demokratëve dhe mbarë vendit nga Delaueri fqinj me fjalimin e tij për pranimin e emërimit nga demokratët si kandidat i tyre për president.
Në fushatën e tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, zoti Trump përshëndetej me brohoritjet e mbështetësve dhe pankarta të shumta në tubimet e mëdha publike. Por, tubimet publike të fushatave politike të Presidentit Tump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden, janë pakësuar këtë vit për shkak të pandemisë së koronavirusit që ka bërë të nevojshme ruajtjen e distancimit fizik.
Presidenti Trump të hënën shprehu pakënaqësinë e tij për ndryshimet e imponuara nga pandemia, për të cilën ai fajëson Kinën që, sipas tij, lejoi përhapjen e koronavirusit nga Wuhani.
Për shkak të rrezikut të përhapjes së Covid-19, Presidenti tha se kur kandidatët mbajnë fjalime tani, "na duhet të qëndrojmë dy fusha futbolli larg" audiencës.
Në muajin qershor, Presidenti Trump u përpoq të organizonte një tubim në një sallë të madhe në qytetin e Tulsës të shtetit të Oklahomës. Por pjesmarrja ishte shumë më e vogël nga sa pritej. Një prej pjesmarrësve më të spikatur, ish kandidati republikan për president Herman Cain, i cili nuk mbante maskë në këtë tubim, vdiq më vonë nga Covid-19.
Fushata e kësaj jave në katër shtete reflekton realitetin e ri për tubime më të vogla që janë antitezë e fushatave presidenciale amerikane të zgjedhjeve të shkuara.
Zoti Trump, cili për muaj më radhë është radhitur pas zotit Biden në sondazhet kombëtare, po shpreson të pengojë një rënie të mëtejshme të mbështetjes si rezultat i kuvendit virtual demokrat, ku udhëheqësit më të lartë demokratë për katër ditë me radhë do të ngrenë lart figurën e zotit Biden dhe do të kritikojnë presidencën e zotit Trump, kryesisht trajtimin nga ana e tij të pandemisë dhe parashikimet e tij të hershme se virusi do të zhdukej.
“Sëmundja nga Kina do të zbehet, por ne nuk do të harrojmë”, tha Presidenti Trump në qytetin Mankato të hënën.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të infektimeve me koronavirus në botë, me afro 5,5 milionë raste, dhe numrin më të madh të vdekjeve, me mbi 170 mijë njërëz që vdiqën nga Covid-19.
Presidenti preferon të diskutojë një numër çështjesh gjatë tubimeve të tij me frymën e fushatave. Të hënën, ai foli edhe mbi rindërtimin e ekonomisë për herë të dytë pas goditjes së pandemisë.
“E dini se si është puna? Zoti po më teston. E bëre njëherë, dhe unë thashë, ‘A bëra një punë të shkëlqyeshme, Zot? Mos vallë unë jam i vetmi që mund ta bëj këtë. Ai tha, ‘Këtë nuk duhet ta thuash. Tani do të bëjmë që ti ta bësh përsëri,” u shpreh presidenti.
*** Ken Bredemeier ka kontribuar për këtë raportim ***
Facebook Forum