Lidhje

Kosova pezullon punimet në rrugën që lidh Deçanin me Plavën dhe Gucinë


Rruga Deçan-Plavë përplasje mes komunës dhe manastirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Qeveria e Kosovës pezulloi punimet në rrugën që lidh komunën e Deçanit në Kosovën perëndimore me rajonin e Plavës dhe Gucisë në Malin e Zi. Pezullimi pasoi debatet rreth punimeve të nxitura nga reagimi i igumenit Sava Janjiç nga manastiri mesjetar i Deçanit, sipas të cilit punimet rrezikojnë manastirin dhe bien ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

Rruga Deçan-Plavë përplasje mes komunës dhe manastirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:03 0:00

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se nuk e mbështet ndërprerjen e punimeve të kësaj rruge sipas vendimit të 14 gushtit të kryeministrit të Kosovës, meqë kjo rrugë është zgjidhja e vetme për zhvillimin ekonomik të qytetit.

“Po ashtu kjo rrugë na lidh me dy fshatra Belle dhe Pleqe, të cilat janë formalisht dhe juridikisht të ndërtuara si fshatëra mirëpo që nuk kanë asnjë lloj infrastrukture. Njëkohësisht janë edhe 12 vendbanime të tjera që nuk janë formale mirëpo që tradicionalisht qytetarët e Deçanit 70 përqind të ekonomive të tyre familjare i kanë siguruar nga këto fshatëra. Po flasim për një resurs tepër të madh të blegtorisë, turizmit, përpunimit të drurit dhe po ashtu të mbledhjes e përpunimit të frutave malore”, thotë zoti Ramosaj.

Por, igumeni i manstirit të Deçanit, Sava Janjiç, i tha Zëri të Amerikës se ndërtimi i kësaj rruge bie ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

“Ideja është të ndërtohet një autostradë praktikisht që çon nga Deçani në Plavë, që është rrugë ndërkombëtare dhe rrugë transiti. Sipas ligjit në zona të veçanta të mbrojtura rrugë të tilla janë të ndaluara për shkak të pasojave në mjedis, zhurma, trafiku i rënduar, ndotja dhe të tjera. Në vitin 2014 qeveria e atëhershme e Kosovës e gjeti një zgjidhje për të ndërtuar një bypas që do të kalonte nga ana tjetër e malit përgjatë zonës së mbrojtur dhe pastaj do të bashkohej me rrugën në pikën ku përfundon zona e mbrojtur. Kjo ishte një zgjidhje e pranueshme edhe për komunitetin ndërkombetar edhe për ne”, thotë ai.

Ai thotë se punimet bien ndesh edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i njohu manastirit pronësinë mbi rreth 22 hektarë tokë përreth, një vendim që sipas zotit Ramosaj është politik dhe cenon interesat e banorëve të Deçanit.

“Vendimi i gjykatës Kushtetuese është një vendim politik i cili nuk i bën nder askujt në këtë vend. Por është një argument në dorën e manastirit përballë sidomos ambasadorëve e zyrave të huaja, që proklamohet gjithmonë që Deçani nuk po e respekton një vendim që është lëshuar nga gjykata Kushtetuese. “Poashtu nuk është vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese që është i këtij niveli fatkeq për komunën e Deçanit. Është edhe ligji për zonat e veçanta të mbrojtura i vitit 2008, njëkohësisht e kemi marrëveshjen e vitit 2014 për ndërtimin e një bypasi dhe e kemi ligjin për parkun nacional në vitin 2015 i cili i ka përjashtuar qytetarët e Deçanit nga interesat që i kanë mbi këtë pasuri”, thotë zoti Ramosaj.

Për më tepër ndërhyrja në këtë rrugë është e domosdoshme, thotë ai, meqë paraqet edhe rrezik për qytetarët.

“Mos të harrojmë që përgjatë kësaj rruge janë zhvilluar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve të cilat kanë bërë një degradim të ambientit dhe që është tepër e psigurtë kjo rrugë për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe të dheut që mundet tu kushtojë qytetarëve të Deçanit edhe me jetën e tyre”, thotë ai.

Igumeni Janjiç, thotë se manastiri pajtohet për renovim të kësaj rruge por jo për zgjerimin e saj.

“Sa u përket gurëve dhe të tjerave ne pajtohemi që rruga ekzistuese lokale përgjatë zonës së mbrojtur të bëhet sa më e sigurtë që është e mundshme. Por siç thash këto nuk ishin punime për ta përmirësuar rrugën ekzistuese por në fakt për ta zgjeruar atë dhe përgatitur për autostradë të vërtetë. 13:18 Në anën tjetër ne e kuptojmë nevojën ekonomike për rrugën që lidh me Malin e Zi dhe e mbështesim plotësisht si dhe besojmë që një rrugë e tillë mund të ndërtohet në përputhje me planin e qeverisë së Kosovës të vitit 2014”, thotë ai.

Zoti Ramosaj, hedh dyshime se reagimi i manastirit është retorikë politike në prag të zhvillimeve të reja në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Krejt ky reagim vjen si pasojë e datës 2 shtator kur është deklaruar që do të ketë takim në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington e që nuk është hera e parë, është krejt e zakonshme, sa herë Kosova ka data të rëndësishme ku diskutohet shtetësia e vet dhe përmbyllja e kësaj shtetësie, atëherë e kemi reagimin e njejtë, retorikën e njejtë”, thotë zoti Ramosaj.

“Ne nuk jemi ata që po shkaktojmë telashe, në fakt intensifikimi i punimeve ka filluar saktësisht në kohën kur ne kemi reaguar. Natyrisht nuk ka përfshirje politike sepse ne nuk po bëjëm politikë këtu, ne vetëm po e zbatojmë në mënyrë strikte ligjin e Kosovës”, thotë zoti Janjiç.

Igumeni Janjiç thotë se e mbështet zhvillimin ekonomik të qytetit por kërkon një zgjidhje në pajtim me ligjet në fuqi, ndërkaq zoti Ramosaj thotë se është i gatshëm të respektojë nevojat e manastirit, por kërkon nga ky institucion respektimin e interesave të qytetarëve.

Vendimi i kryeministrit Hoti për pezullimin e punimeve nxiti reagimin e një pjese të partuve politike që e kritikuan atë për sic është thënë pajtim me kërkesat e presidentit serb, Aleksandër Vucic për ndërprerjen e punimeve.

Kryeministri Hoti shkroi në rrjetete sociale se rruga do të ndërtohet në bashkëpunim të ngushtë me Deçanin dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente, duke respektuar ligjet e shtetit të Kosovës. “Zhurma nuk është zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve por puna, angazhimi dhe respektimi i normave ligjore dhe kushtetuese”, shkroi kryeministri Hoti.

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar shumë herë se autoritetet në Kosovë po shkelin disa prej të drejtave pronësore të saj të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është ndërtimi I rrugës. Zoti Ramosaj thotë se rruga nuk është gjë tjetër vecse mjundësi zhvillimi pëer komunën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG