Lidhje

Zhgënjim në Liban pas vendimit në çështjen Hariri


Shumë vëzhgues kishin parashikuar që vendimet në gjykimin për vrasjen në vitin 2005 të kryeministrit libanez Rafik Hariri do të shkaktonin trazira në Liban, por asgjë nuk ndodhi të martën kur këto vendime u bënë të njohura. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anchal Vohra njofton se shumë libanezë janë më të shqetësuar për çështje të tjera të ngutshme - si rindërtimi pas një shpërthimi masiv të kohëve të fundit - dhe si të sigurojnë mbijetesën në një kohë kur vendi i tyre po vuan një krizë të rëndë ekonomike.

Një komb i zemëruar. Ky ishte Libani pasi ish-kryeministri Rafiq Hariri u vra në brigjet e Bejrutit në vitin 2005.

Qysh atëherë, problemet e Libanit janë shumëfishuar dhe shpërthimi që vrau zotin Hariri është harruar në jehonën e shpërthimit më të fundit që la më shumë se 170 të vdekur, 6,000 të plagosur dhe shkatërroi shumë lagje të qytetit.

Pra, nuk pati tubime masive apo protesta, vetëm disa njerëz që vizituan varrin e tij pasi një gjykatë speciale me mandat të Kombeve të Bashkuara për Libanin njoftoi vendimin në çështjen gjyqësore për vrasjen e tij.

Gjykata tha se qeveria siriane dhe aleati i saj, Hezbollahu, kishin arsye për të vrarë zotin Haririn por përmendi mungesën e provave. Ajo dënoi vetëm një nga katër anëtarët e Hezbollahut të akuzuar për kryerjen e këtij krimi.

Tre të tjerë, për çudinë e shumë njerëzve në Liban, dhe habinë e liderëve të Hezbollahut, u liruan.

Për disa në opinionin publik, Hezbollahu ishte fajtor.

"Të gjithë e dinë që Nasrallahu ka qënë pas kësaj, që nga fillimi", thotë Ceefam, një pronar dyqani.

Vrasja e Haririt ishte një moment vendimtar në historinë e Libanit. Ngjarja e ndau vendin në një kamp pro-perëndimor dhe një pro-iranianit dhe Sirisë, ky i fundit me Hezbollahun në krye.

Që nga vrasja e Haririt, milicia në mënyrë të vazhdueshme fitoi kontroll në punët e shtetit dhe tani ka pushtet të padiskutueshëm në vend. Hezbollahu e cilësoi gjyqin si të motivuar politikisht, mohoi përfshirjen në sulm dhe nuk pranoi të dorëzojë ndonjë nga anëtarët e tij për gjykim.

Disa analistë thonë se kontrolli i Iranit mbi Hezbollahun dhe ndikimi i Hezbollahut në Liban kanë qenë faktorë në krizat e këtij vendi.

"Mendoj se pengesa kryesore ndaj drejtësisë është fakti se Libani kontrollohet nga Hezbollahu dhe se Libani nuk e rimori sovranitetin e tij të plotë mbi vendimin dhe Libani nuk miratoi një politikë neutraliteti që do ta mbante atë larg nga të gjitha konfliktet rajonale", thotë Sami Nader, analist politik.

Pothuajse 250 mijë njerëz humbën shtëpitë e tyre në shpërthimin e fundit. Ata nuk kishin as kohë dhe as vullnet për të protestuar kundër asaj që shihet gjerësisht këtu si një vendim i pakënaqshëm.

"Më vjen keq po nuk ia kam idenë. Unë jam duke luftuar me kaq shumë gjëra. Nënën e kam në emergjencë. Momentalisht, nuk më intereson politika", thotë Lara Afeiche, banore e Bejrutit.

Duke çaluar nga një krizë në tjetrën, shumë libanezë ndjehen të zhgënjyer dhe vendimi për shumë ishte trishtues. Por të tjerët shohin gjithashtu shenja shprese se ata që janë përgjegjës për problemet e vendit, herët a vonë mund të përballen me drejtësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG