Lidhje

Florida, një milion njerëz të tjerë votojnë me postë në zgjedhjet paraprake 


A poll worker wears personal protective equipment as she monitors a ballot drop box for mail-in ballots outside of a polling station during early voting, in Miami Beach, Florida. Aug. 7, 2020.
A poll worker wears personal protective equipment as she monitors a ballot drop box for mail-in ballots outside of a polling station during early voting, in Miami Beach, Florida. Aug. 7, 2020.

Në zgjedhjet brenda republikanëve, ish-piloti i Marinës, Scott Franklin mposhti anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve Ross Spano, duke e bërë ligjvënësin nga Florida të përfshirë në hetime për çështje etike, anëtarin e tetë të Dhomës që humb zgjedhjet paraprake të partisë së tij këtë vit.

Zgjedhjet paraprake të së martës u dominuan nga çështja e pandemisë së koronavirusit, duke bërë që më shumë se 2.3 milionë njerëz të votonin përmes postës.

Në zgjedhjet paraprake të vitit 2016, diçka më pak se 1.3 milionë njerëz votuan me postë.

Ky vit ka qenë i vështirë për anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Tetë humbjet dyfishojnë totalin e vitit 2018 dhe përbëjnë numrin më të madh të humbjeve që nga viti 1974.

Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton ligjvënësin Spano mbi dyshimet për shkelje të ligjeve të financimit të fushatave. Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve po shqyrton aludimet se ligjvënësi Spano kishte huazuar më shumë se 100,000 dollarë nga dy miq dhe pastaj ia kishte dhënë paratë fushatës së tij në formë huaje. Por Komisioni i Etikës e ndali shqyrtimin e çështjes, pas fillimit të hetimit kriminal.

Scott Franklin tha se ai e sfidoi ligjvënësin Spano nga shqetësimi se demokratët mund të përfitonin nga akuzat kundër tij, duke përmbysur rezultatin në zgjedhjet e nëntorit.

"Politikisht, ideologjikisht jemi shumë afër njëri-tjetrit në çështjet kryesore, por me çështjet e etikës dhe hetimet që po kryhen ndaj tij, ai thjesht e bëri të pambrojtur pozicionin e tij, dhe ky ishte shqetësimi im", tha zoti Franklin.

Distrikti ndodhet në lindje të qytetit të Tampës në Floridën qendrore dhe tradicionalisht ka votuar në favor të kandidatëve republikanë. Franklin, një biznesmen dhe komisioner i qytetit të Lejklendit, tani përballet me demokratin Alan Cohn, ish gazetar televiziv që ka mbledhur rreth 600,000 dollarë për garën që nga 29 korriku.

Në pjesën veriore të Floridës, Kat Cammack fitoi zgjedhjet paraprake të republikanëve me shumë kandidatë që garonin për të zëvendësuar ish shefin e saj, republikanin në largim Ted Yoho.

32-vjeçarja Cammack është pronare e një firme konsulente politike dhe më parë ka shërbyer si Zëvendës Shefe e personelit në zyrën e ligjvënësit Yoho dhe si menaxhere e fushatës së tij. Ajo nënvizoi punën e saj me ligjvënësin Yoho gjatë fushatës.

Zonja Cammack fitoi garën ndaj 10 kandidatëve të tjerë në distriktin e fortë republikan që shtrihet nga Okala deri në jug qytetit të Xheksonvillit.

Florida gjithashtu do të zgjedhë një anëtar të ri të Kongresit në një distrikt të fortë republikan, në jug-perëndim të shtetit, ku ligjvënësi Francis Rooney po tërhiqet pas dy mandatesh. Nëntë republikanë u përballën në zgjedhjet paraprake për ta zëvendësuar atë në një garë që ishte shumë e ngushtë për të shpallur fituesin të mërkurën. Fletëvotimet me postë nga votuesit jashtë vendit, si ata që janë pjesë e ushtrisë, mund arrijnë deri në 10 ditë pas natës së zgjedhjeve, dhe ato mund të ngushtojnë rezultatin dhe të shkaktojnë një rinumërim automatik të votave.

Në distriktin Brouard, Sherifi Gregory Tony shpalli fitoren në zgjedhjet paraprake të demokratëve ndaj paraardhësit të tij, i cili u pushua nga puna pas masakrës së Parklandit. Sherifi Tony zëvendësoi paraardhësin e tij Scott Israel në vitin 2019 pasi guvernatori Ron DeSantis e pushoi nga puna zotin Israel për trajtimin prej tij të incidentit me armë në vitin 2018 në Shkollën e Mesme Marjory Stoneman Douglas, në të cilin u vranë 17 vetë.

Në distriktin e Palm Biçit, konservatorja e ekstremit të djathtë Laura Loomer fitoi zgjedhjet paraprake të republikanëve dhe tani do të përballet me ligjvënësen Lois Frankel. Ky është një distrikt i fortë demokrat dhe ligjvënësja Frankel ka qenë një faktor i rëndësishëm politik atje për dekada.

Ndërsa Presidenti Donald Trump ka ngritur shumë pyetje në lidhje me mundësinë e manipulimeve në sistemin e votimit me postë, ai më vonë u tërhoq nga komentet e tij, të paktën për sa i përket Floridës, dhe kërkoi një fletëvotim për veten e tij.

Demokratët tani janë në avantazh në mesin e votuesve të regjistruar në Florida, por të pavarurit, si zakonisht, mund ta ndryshojnë këtë.Që nga 30 qershori, Florida kishte gati 4.9 milionë votues republikanë dhe më shumë se 5.1 milionë votues demokratë.

Ky shtet ka gati 3.8 milionë votues të cilët nuk janë të regjistruar në një parti ose janë të regjistruar në një parti të vogël.

James Collins, 69 vjeç, pensionist në Fort Loterdejl, tha se pasi ishte "pak i shqetësuar për shkak të pandemisë", ai shkoi në vendvotimin e tij herët në mëngjes të martën, me doreza dhe një maskë në fytyrë.

"Askush nuk ishte atje përveç personelit të vendvotimit. Ishte një proces shumë i shpejtë", tha Collins.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG