Lidhje

Kosovë: 13 viktima të tjera nga Covid-19, bie nën 100 numri i rasteve të reja


Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë se 13 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e koronavirusit, duke e çuar në 480 numrin e përgjithshëm të vdekurve që nga fillimi i pandemisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se pas 406 testeve të kryera në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 99 raste të reja të koronavirusit.

Sipas institutit, 24 raste të reja janë shënuar në Prishtinë, 19 në Pejë, 13 në Gjilan, 6 në Podujevë, 6 në Prizren, 5 në Kaçanik, 4 Viti , 3 në Ferizaj, 3 në Fushë Kosovë, 3 në Lipjan, 2 në Malishevë, 2 në Vushtrri dhe Deçani, Dragashi, Drenasi, Graçanica, Kamenica, Klina, Mitrovica, Rahoveci dhe Suhareka kanë shënuar nga një rast.

Rastet e fundit e çuan në 12 mijë e 547 numrin e përgjithshëm të të infektuarave me Covid-19 në Kosovë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 152 pacientë duke e çuar në 8 mijë e 657 numrin e përgjithshëm të të shëruarve, ndërsa 3 mijë e 410 mbeten raste aktive.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha të hënën se situata me raste të reja është duke u normalizuar ndërsa shprehu shqetësimin për numrin e lartë të personave që po vdesin nga koronavirusi. Ai i bëri këto komente në takimin me kryetarët e komunave të Kosovës ku është diskutuar për bashkërendimin e veprimtarive për menaxhimin e pandemisë së Covid-19.

“Dhe, them me kënaqësi që trendi i rasteve të reja ka filluar të bjerë, por, kjo nuk është shenjë që ne ia kemi dalë në krye dhe e kemi futur plotësisht në kontroll këtë pandemi, duke qenë se numri i rasteve me fatalitet fatkeqësisht po mbetet mjaft i lartë dhe plot familje po humbin të dashurit e tyre”, tha kryeministri Hoti.

Kosova vazhdon të përballet me numër të lartë të të infektuarve nga COVID-19 dhe rrjedhimisht edhe numër të lartë të personave që po vdesin nga ky virus. Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të masave për frenimin e përhapjes së infektimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG