Lidhje

Bisedimet Kosovë – Serbi, në nivel ekspertësh më 27 gusht


Kosova dhe Serbia pritet të takohen të enjten më 27 gusht në Bruksel për të vazhduar bisedimet në nivel të ekspertëve.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe sigurinë, Nabila Massrali, i konfirmoi Zërit të Amerikës takimin e së enjtes.

“Pas rifillimit të bisedimeve në nivelin më të lartë në muajin korrik, tashmë vazhdon me seri takimesh në niveli të ekspertëve, të cilat janë pjesë e vazhdueshme e procesit. Mund të konfirmojmë që takimet do të zhvillohen në 27 gusht”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Massrali por pa dhënë hollësi për temat të cilat pritet të bisedohen.

Bisedimet në nivel të grupeve të ekspertëve pritet të mbahen një javë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i ka thënë Zërit të Amerikës se takimi në Washington do të përqendrohet në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike si hapa të parë drejt arritjes së paqes.

Në Kosovë është mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG