Lidhje

Shkup, shënohet 110 vjetori i lindjes së shenjtores Nënë Tereza


Të mërkurën në Shkup, në vendlindjen e shenjtores Nënë Tereza u shënua 110 vjetori i lindjes së saj. Instituti për Ruajtjen e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqata “Shkupjania Nënë Tereza” përuruan pllakën përkujtimore të shkruar në maqedonisht, shqip dhe anglisht në sheshin qendror të Shkupit, ku ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut.

Në të vërtetë, për vite me radhë në këtë vend ka pasur një pllakë në maqedonisht dhe anglisht por jo dhe në gjuhën shqipe, që indinjonte komunitetin shqiptar.

Një nga folësit, Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut foli me mburrje për shenjtoren Nënë Tereza si “simbol i humanizmit të pafund, simbol i dashurisë ndaj njeriut, kujdesit dhe ndjeshmërisë ndaj të sëmurëve, martirëve dhe të pafatëve në jetë”, siç tha z. Xhaferi.

Skënder Hasani, drejtor i Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve tha se me themelimin e Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut brenda Institutit, “personaliteti i Nënë Terezës ka edhe një përkujdesje shkencore, që në mënyrë studioze do ta ndriçojë figurën e saj, do t’i pasurojë informacionet për të dhe gjithnjë do ta begatojë personalitetin e madh të Nënës Terezë në mjedisin tonë”.

Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza ishte larguar nga vendlindja në moshën 18 vjeçe për t’iu bashkuar misionit të bamirësisë dhe ajo kishte arritur ta vizitojë Shkupin katër herë, ndërsa e ëma, motra dhe i vëllai jetonin në Tiranë.

Sot në Shkup jeton një komunitet i vogël katolikësh shqiptarë. Shumë prej tyre janë shpërngulur, sidomos në Kroaci. Në Shkup ka një kishë të vetme katolike në të cilën meshat nuk bëhën në gjuhën shqipe dhe as nuk ka një prift shqiptar.

Shtëpia e shenjtores në kryeqytet ishte rrëzuar me urdhër të autoriteteve komuniste të kohës pas tërmetit të vitit 1963, me vlerësimin se kishte pësuar dëme serioze.

Në Shkup, disa qindra metra larg shtëpisë së lindjes është ngritur një shtëpi – muze për nder të Nënë Terezës të cilën e vizitojnë qindra njerëz nga mbarë bota.

XS
SM
MD
LG