Lidhje

Kosovë, 14 shtator hapen shkollat, sfidë mbarëvajtja e procesit


Autoritetet në Kosovë vendosen që viti i ri shkollor të fillojë më 14 shtator, dy javë më vonë sesa ka nisur rregullish. Ministria e Arsimit thotë se kjo shtyrje është bërë me qëllim për të garantuar kushte të sigurta për fëmijët, mësuesit dhe prindërit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha për Zërin e Amerikës se do të vëzhgohet me kujdes situata epidemiologjike dhe sipas tij sfidë mbetet respektimi i masava nga fëmijët.

“Në secilën shkollë do të krijohen task-forcat, në secilin DKA do të jenë task-forcat që do të marrin vendime për me respektuar protokollet dhe në cilin do situatë është protokoli i reagimit sipas të cilët për çdo skenarë, çfarë të bëhet në rast se paraqiten raste të tilla”, tha ai.

Kosova hap shkollat me14 shtator - sfidë mbarëvajtja e procesit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Ministri Likaj thotë se komunat e mëdha të vendit me shkolla të mbigarkuara do të jenë shumë sfiduese dhe për këtë ai thotë se janë hartuar disa kritere për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Këta ballafaqohen me sfida të organizimit, për shembull kjo shkollë i ka katër hyrje dhe dalje për nxënësit pastaj duhet me pas ujë të rrjedhshëm, pastaj duhet me pas shenjëzime adekuate të cilat i ka kjo shkollë por orari i mësimit do të i shkurtuar, klasat do të jenë të përgjysmuar me numër të nxënësve, orari do të jetë më i gjatë mirëpo qeveria ka siguruar mjete shtesë për punën e mësimdhënësve”, tha ministri Likaj.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard që vëzhgon sistemin arsimor në vend thotë se rikthimi i fëmijëve në banka shkollore është i domosdoshëm.

“Prezenca e tyre fizike në shkollë në asnjë moment nuk mund të zëvendësohet nga mësimi në distancë dhe atë online. Është e domosdoshme që komuniteti i shkollës të sigurohet për shëndetin e tyre dhe kjo thërret edhe për përgjegjësi të institucioneve tona qeverisëse sikurse edhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publikë në mënyrë që rikthimi të jetë i sigurtë dhe gradual dhe në asnjë moment të mos cenohet shëndeti i fëmijëve dhe i komunitetit brenda shkollës”, tha ai.

Ai thotë se organizimi i procesit mësimor do të jetë i vështirë dhe shton se duhet të ngriten mekanizma llogaridhënës brenda shkollave.

“Kjo shkon përtej atyre protokolleve dhe manualeve të paraqitura nga institucinet e qeverisjes qendrore dhe thërret shumë në vetëdijësim të komunitetit të shkollës pasi që të njejtit do të jenë reagues dhe mbrojtës ndaj çfarëdo transmetimi të mundshëm të kësaj sëmundjeje”, tha zoti Qehaja.

Ministri i Arsimit Ramë Likaj thotë se janë përgatitur skenarë të ndryshëm që do të zbatohen varësisht nga situata.

“Shpresojmë që nuk do të vijmë në një situatë të tillë, mirëpo nëse aplikohet skenari i tretë që është mësimi në distancë në rast se mbyllet, mund ndodh që mbyllet një institucion arsimor, mund ndodhet të mbyllet një fshat apo një komunë por të tjerat duhet të vazhdojnë. Ne e kemi edhe skenarin dhe po e përgatisim mësimin në distancë të cilin nuk e dëshirojmë por mësimi në distancë tash do të jetë me platforma më interaktive do të thotë që të sigurohet interaktivitet me nxënësit”, tha ai.

Njohës të sistemit mësimor thonë se shumë studime kanë nxjerrë në pah se fëmijët paraqesin rrezikshmëri më të ulët të transmetimit të sëmundjes. Ata thonë se shëndeti i fëmijëve jashtë shkollës është shumë më i rrezikuar sesa brenda shkollës dhe për këtë është me rëndësi që të filloj mësimi brenda institucioneve shkollore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG