Lidhje

SHBA: Komisioni i Kongresit reagon pasi sekretari Pompeo refuzon të dorëzojë dokumentat

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë njoftoi se ka filluar një proces për ta mbajtur Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo përgjegjës për fyerje të komisionit, duke përmendur si argument refuzimin e tij për të përmbushur një kërkesë për informacione lidhur me “keqpërdorimin e hapur politik” të burimeve të departamentit.

Kreu demokrat i komisionit, Eliot Engel, përmendi gjithashtu edhe fjalimin e zotit Pompeo nga Jeruzalemi në Kuvendin Kombëtar Republikan dhe tha se “ai ka shfaqur shpërfillje alarmuese për ligjet dhe rregullat për sjelljen e tij dhe për instrumentat që ofron kushtetuta për të parandaluar korrupsionin qeveritar”.

Muajin e kaluar komisioni i dërgoi një kërkesë zotit Pompeo për dokumentat që ai u kishte dhënë republikanëve që po hetonin mbi kandidatin demokrat për president, Joe Biden.

Një komision i Senatit i drejtuar nga republikanët, ka mbledhur informacione lidhur me të birin e ish-nënpresidentit, Hunter Biden.

Hunter Biden është ish-anëtar i bordit të kompanisë ukrainase të energjisë, "Burisma". Kompania u vu në qendër të vëmendjes vitin e kaluar, gjatë hetimit për procesin e shkarkimit që kishte si qëllim të gjente nëse zoti Trump ushtroi presion të papërshtatshëm ndaj qeverisë së Kievit që të hapte një çështje që do të implikonte rivalin e tij në zgjedhje.

"I dhashë zotit Pompeo mundësi të mjaftueshme që të plotësonte kërkesën time për dokumenta, që fillimisht e bëra para tre muajsh. Këto dokumenta i ishin dorëzuar ndërkohë senatit dhe refuzimi i tij për t’ia dhënë Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, më bëri të lëshoja një kërkesë të detyrueshme”, tha zoti Engel në një deklaratë.

This item is part of
XS
SM
MD
LG