Lidhje

Presidenti, kancelarja gjermane dënojnë dhunën gjatë protestave


Figura të larta gjermane dënuan të hënën përpjekjet nga protestues të ekstremit të djathtë për t’u futur me forcë në parlamentin gjerman. Qindra vetë, pjesë e demonstratave kundër masave kufizuese të imponuara gjatë pandemisë, çanë kordonin policor para parlamentit të shtunën në mbrëmje para se të ndaleshin nga policia. Presidenti tha se aktet dhe simbolet e ekstremit të djathtë që mbanin protestuesit ishin plotësisht të patolerueshme:

Presidenti, kancelarja gjermane dënojnë dhunën gjatë protestave
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:08 0:00

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se dhuna e fundjavës ka treguar qartë “se ekstremi i djathtë ka rrënjë të thella në shoqërinë tonë”. Ai dënoi përdorimin e flamurit të Rajhut Gjerman të viteve 1871-1918 nga disa demonstrues, që është bërë një simbol i preferuar i ekstremit të djathtë në Gjermani, ku nuk lejohen simbolet naziste.

"Flamurët e Rajhut, flamurët e luftës në shkallët e parlamentit gjerman të zgjedhur me votë të lirë, në zemër të demokracisë sonë, këto nuk janë thjesht akte të pështira, por në sfondin historik të këtij vendi, janë plotësisht të patolerueshme. Nuk do të lejojmë fushata anti-demokraci, apo përpjekje për të përdhosur Republikën e Gjermanisë në Bundeshtag,” tha Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti gjerman i bëri komentet pas takimit me policët që kishin mbrojtur ndërtesën e parlamentit nga turma prej qindra vetësh që u përpoq të futej me forcë.

Demonstratat filluan me thirrjet kundër masave kufizuese që shumë protestues i denoncojnë si veprime autokrate që shkelin të drejtat e qytetarëve.

Video të marra nga protestues të shtunën në Berlin tregojnë turmën e revoltuar që ngjitet në shkallët e parlamentit, ndërkohë që policia përpiqet ta vërë situatën nën kontroll.

Një zëdhënës i Kancelares Angela Merkel tha se e drejta për demonstrim është një liri e vyer sidomos në kushtet e pandemisë, por zhvillimet e fundjavës nuk reflektojnë akte demokratike:

"Pamë një abuzim të qartë të së drejtës për të demonstruar gjatë fundjavës. Ishte e papranueshme. Anti-demokratët po përpiqeshin të zaptonin shkallët e parlamentit me parulla, me flamuj e pankarta që reflektojnë diziluzionin e këtyre individëve,” tha Steffen Seibert, zëdhënës i Kancelares gjermane, Angela Merkel.

Aktet e së shtunës u dënuan edhe nga politikanë të tjerë gjermanë. Sipas autoriteteve, ndër dhjetëra mijëra vetë që ishin mbledhur për protestat e së shtunës, rreth 3000 prej tyre ishin ekstremistë ose simpatizantë të ekstremit të djathtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG