Lidhje

SHBA planifikon reduktim të pranisë ushtarake në Irak


21 tetor 2019; Dahuk, Irak

Shtetet e Bashkuara kanë në plan të reduktojnë numrin e trupave në Irak, njoftoi Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Presidenti postoi në Twitter një koment të shtunën ku thotë se SHBA “ka në plan të reduktojë” praninë ushtarake në Irak, pa dhënë hollësi të tjera.

Komenti i presidentit përfshinte një link që hapte një artikull që njofton se forcat amerikane në rajon do të reduktoheshin nga 5,200 në 3,500, një shifër që fillimisht u raportua nga gazeta Wall Street Journal.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë konfirmuar planet për reduktim të pranisë ushtarake në Irak.

“Po ulim nivelin e trupave, ndërkohë që vazhdon të përmirësohet aftësia e forcave irakiane për të mundur mbetjet e ISIS-it dhe për të parandaluar një kryengritje të re,” tha zëdhënësja e Pentagonit, Komandantja Jessica L. McNulty.

“Masa e reduktimit të forcave amerikane në Irak do të përcaktohet përmes një bashkërendimi të kujdesshëm me qeverinë në Irak dhe me partnerët e NATO-s në koalicion, si dhe do të kalibrohet për t’iu përshtatur interesave tona të sigurisë dhe përparimit të fushatës kundër ISIS-it,” tha zonja McNulty përmes një deklarate për Zërin e Amerikës.

Zyrtarët irakianë nuk kanë bërë ende komente për reduktimin e trupave.

Diskutimet mes dy vendeve për të ardhmen e forcave amerikane në Irak filluan para disa muajsh. Kjo temë u diskutua edhe gjatë vizitës këtë muaj të Kryeministrit irakian Mustafa Al-Kadhimi në Shtëpinë e Bardhë.

Ekspertët thonë se pasi mundi ISIS-in në qytetet kryesore irakiane, përfshirë Mosulin, ushtria irakiane e ka dëshmuar efektivitetin e saj në luftë kundër ekstremistëve.

“Forcat e armatosura irakiane janë në gjendje të përballojnë operacionet ushtarake në terren,” tha Hussein Ali Allawi, profesor i sigurisë kombëtare në Unviersitetin Nahrain në Bagdat. “Por roli i koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA mbetet i rëndësishëm për mbështetjen nga ajri, operacionet e zbulimit dhe survejimin nga ajri që mbeten karakteristikat e misionit konsulent të koalicionit ndërkombëtar në Irak”.

Ai thotë për Zërin e Amerikës se ndërkohë që fushata për të shkatërruar mbetjet e ISIS-it në Irak vazhdon, qeveria irakiane ende ka nevojë për ekspertizën e “koalicionit ndërkombëtar për riorganizimin e forcave të armatosura irakiane, për të reformuar sektorin e sigurisë, për të forcuar kapacitetet e zbulimit dhe për të krijuar marrëdhëniet ushtarako-civile.

Synimi përfundimtar për Uashingtonin dhe Bagdatin është tërheqja brenda tre vjetësh, duke filluar nga muaji gusht, e 3500 trupave amerikane që ndodhen në Irak, tha zoti Allawi.

Javën e kaluar, koalicioni i udhëhequr nga SHBA u tërhoq nga baza Taji dhe ia dorëzoi objektin forcave irakiane.

Dorëzimi i bazës në veri të Bagdatit, ishte transferimi i tetë i një objekti ushtarak nga koalicioni në duart e ushtrisë irakiane, tha koalicioni përmes një deklarate.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Pentagonin, Carla Babb kontribuoi për këtë artikull.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG