Lidhje

Shqipëri, rritje e fortë e viktimave dhe rasteve me COVID 19 gjatë gushtit


Në Shqipëri muaji gusht shënoi një pikë kulmore në ecurinë e pandemisë së koronavirusit me një rritje të ndjeshme të viktimave dhe rasteve të reja. Në total janë 131 persona që kanë humbur jetën,nga 93 viktima në muajin korrik, ose gati 40 përqind më shumë. Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, në vend janë shënuar 290 vdekje, 45 përqind e të cilave vetëm gjatë gushtit.

Po ashtu dhe rastet e reja u rritën me gati 50 përqind krahasuar me korrikun, ku pati 2816 të infektuar të rinj. Shifrat e larta duket se i dedikohen pjesërisht dhe rritjes së ndjeshme të testimeve në gjysmën e dytë të muajit gusht, ku përveç laboratorit shtetëror, në lojë u futën dhe laboratorë privatë të liçencuar. Megjithatë, mbi 4200 rastet e gushtit përbëjnë gati gjysmën e totalit të të prekurve nga COVID 19 që nga muaji mars.

Në 24 orët e fundit, ndërsa numri i rasteve shënoi ulje, ai i viktimave mbeti i lartë, me 6 persona që humbën jetën: një 63 vjeçar nga Lezha, një 67 vjeçare dhe një 70 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Librazhdi, një 72 vjeçar nga Kukësi dhe një 88 vjeçar nga Dibra.

Ndërsa 93 të prekurit e rinj u konfirmuan nga 812 testime në 18 qytete të ndryshme 42 raste në Tiranë, 7 në Fier, 6 në Lushnje, 5 në Malësi e Madhe, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Korçë, Mirditë, 3 në Kavajë, nga 2 raste në Elbasan, Has, Vlorë, Librazhd, Gjirokastër, nga 1 rast në Devoll, Kamëz, Mat, Përmet.

Ecuria e përhapjes së COVID 19 nuk po shihet të ketë një tendencë drejt uljes.Të shtruarit në spitale rriten dita-ditës. Deri pasditen e së martës “në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" janë 182 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 23 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar. Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 41 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë.

Në 24 orët e fundit u rregjistrua dhe shifra më e lartë e të shëruarve, me 227 persona të cilët rezultuan negativë në dy teste radhazi. Deri më tani janë 5441 të shëruar, ndërkohë që janë ende aktivë 3875 raste.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG