Lidhje

Pompeo: Diplomatët e lartë kinezë tani duhet të marrin miratim paraprak për takimet brenda SHBA-ve


Mike Pompeo, Sekretar i Shtetit
Mike Pompeo, Sekretar i Shtetit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një rregull të ri për diplomatët e lartë kinezë, sipas të cilit, ata duhet të marrin miratim paraprak para vizitave në kampuset universitare amerikane dhe para takimeve me zyrtarë lokalë të qeverisë amerikane, duke përmendur nevojën e reciprocitetit midis dy vendeve.

Masat e reja vijnë ndërsa Uashingtoni thotë se autoritetet kineze kanë vendosur kufizime të konsiderueshme ndaj diplomatëve amerikanë që punojnë në Kinë.

"Partia Komuniste Kineze ka zbatuar një sistem të vështirë të procesit të miratimit që synon të pengojë punën e rregullt të diplomatëve amerikanë, pjesëmarrjen e tyre në ngjarje, takime dhe vendosjen e kontakteve me popullin kinez, veçanërisht në kampuset universitare dhe përmes shtypit dhe mediave sociale", tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një konferencë shtypi të mërkurën.

Organizimi i një ngjarjeje kulturore me një audiencë më të madhe se 50 persona nga Ambasada Kineze dhe konsullatat e saj jashtë objekteve në pronësi të tyre do të duhet marrin gjithashtu miratimin paraprak nga Departamenti i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara po punojnë gjithashtu për t’u siguruar që të gjitha llogaritë zyrtare në mediat sociale të ambasadës kineze dhe konsullatave kineze të identifikohen drejt si llogari të qeverisë kineze.

Lëvizjet e fundit vijnë ndërsa ambasadës amerikane në Kinë u është mohuar qasja e pakufizuar në mediat sociale kineze dhe ndërsa

qytetarëve kinezë u është bllokuar qasja në platformat e mediave sociale si Twitter dhe Facebook.

Sekretari Pompeo të mërkurën tha se kërkesat e reja janë "një përgjigje e drejtpërdrejtë" ndaj "kufizimeve të tepërta" të Kinës tashmë të vendosura ndaj diplomatëve amerikanë, dhe kanë për qëllim të sigurojnë "transparencë të mëtejshme" mbi praktikat e qeverisë kineze.

"Nëse PRC (Republika Popullore e Kinës) heq kufizimet e vendosura ndaj diplomatëve amerikanë, ne jemi gati të përgjigjemi", tha Sekretari Pompeo në një deklaratë.

Masat e reja pasojnë një njoftim të tetorit të vitit të kaluar se të gjithë diplomatëve kinezë dhe zyrtarëve kinezë që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara me punë zyrtare do t’u kërkohej që të njoftojnë paraprakisht Departamentin e Shtetit për takimet me zyrtarë lokalë, shtetërorë dhe federalë, si dhe institucione arsimore dhe kërkimore në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG