Lidhje

Në shtetet e lëkundura, aktivistët punojnë me ngulm për çdo votë


Në 60 ditët e fundit të fushatës zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë, ish-nënpresidenti demokrat Joe Biden kryeson ndaj Presidentit Donald Trump në disa shtete të lëkundura që janë me rëndësi kyçe në zgjedhje. Një ndër to është shteti i Uiskonsinit, ku zoti Trump fitoi në zgjedhjet e 2016 me një diference të ngushtë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ka biseduar me vullnetarë në këtë shtet, të cilët po punojnë për të regjistruar banorët për të votuar në një kohë kur vazhdojnë protestat me thirrjet për drejtësi racore dhe kur ende vazhdon kërcënimi i koronavirusit:

Në shtetet e lëkundura, aktivistët punojnë për çdo votë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Sapo ka filluar mësimi në Universitetin e Uiskonsinit në Medison, por Evan Karabas ende nuk i ka ndjerë ethet e studimeve intensive të shkollës së lartë:

“Bëra dy orë mësimi përmes internetit, jo fort stresuese,” tregon Evan.

Por 60 ditë para zgjedhjeve, ai është shumë më i zënë me aktivitetin vullnetar, në kuadër të grupit “Badger GOP”, të përbërë nga studentë republikanë në këtë universitet që punojnë për të rizgjedhur Presidentin Trump si dhe kandidatë të tjerë republikanë në këto zgjedhje.

“Dalim me sa mundemi, shkojmë derë më derë apo bëjmë telefonata,” tregon Evan.

Anketat e zhvilluara pas kuvendeve nuk kanë treguar ndryshim të madh të situatës, ku kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të kryesojë ndaj Presidentit Trump në shtete të lëkundura që kanë rëndësi kritike në zgjedhje.

“Nuk presim që shumë njerëz ta mbështesin me entuziazëm, pasi ka shumë votues konservatorë që kanë frikë të kapin telefonin e të pohojnë se do të votojnë për të,” thotë Evan.

“Do të jetë garë tepër e ngushtë. E gjitha varet nga votuesit e rinj që arrin të bindësh,” thotë Rianna Mukherjee, aktiviste demokrate.

Rianna Mukherjee është në anën tjetër të spektrit politik, por si udhëheqëse e studentëve demokratë në këtë universitet, ajo është e angazhuar me intensitet për të mobilizuar votuesit, përmes telefonatave apo lidhjeve me internet si rezultat i pandemisë.

“Njerëzit tregohen më të vëmendshëm pasi i ke kontaktuar dhe i pyet “A jeni regjistruar për të votuar? A keni kërkuar fletëvotim për ta derguar me postë?,” tregon Rianna.

“Mendoj se kam bërë thuajse 10 mijë telefonata përmes aplikacionit. Pak ditë më parë fillova të shkoj derë më derë. Deri tani kam shkuar vetëm tek 1000 banorë por parashikoj se do ta shtoj numrin,” thotë Evan.

Të dy këta studentë pohojnë se ngjarjet e fundit, si përgjigja e qeverisë federale ndaj pandemisë dhe trazirat në qytetin e Kenoshas në shtetin e tyre mund të ndryshojnë shumë mendje, megjithatë ata vazhdojnë punën me votuesit:

“Nuk mendoj se rezultati i anketave duhet të na vërë në vetkënaqësi. Shumë gjëra ndryshojnë dhe ndikohen nga klima e përgjithshme politike në vend,” thotë Rianna.

“I shoh me vëmendje anketat, por nuk lejoj që të më influencojnë shumë në të menduar,” thotë Evan.

“E meta e anketave është se nuk përllogarisin me saktësi pjesëmarrjen në zgjedhje,” thotë analisti Michael Traugott.

Michael Traugott, pedagog në Universitetin e Miçiganit thotë se këto zgjedhje komplikohen nga pandemia, e cila do të ketë ndikim të madh tek pjesëmarrja.

“Do të ishte me vend që anketuesit të dalin me disa rezultate të mundshme, të bazuara në pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe të tjerat në pjesëmarrje të ulët,” thotë zoti Traugott.

Analisti thotë se gara për Shtëpinë e Bardhë ka të ngjarë të mos përfundojë pas 60 ditësh pasi mund të vazhdojë për disa ditë numërimi i votave të dërguara me postë.

“Ka shumë mundësi që të mos e dimë rezultatin e zgjedhjeve për disa ditë, ndoshta për një javë deri në 10 ditë pas 3 nëntorit,” thotë analisti.

Më 3 nëntor 2020 Evan dhe Rianna votojnë për herë të parë në jetë në zgjedhje presidenciale. Megjithëse mbështesin kandidatë kundërshtarë dhe kanë bindje të ndryshme politike, të dy shprehin të njëjtin entuziazëm që do të hedhin votën për herë të parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG