Lidhje

Si ndikohen marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Moskës nga helmimi i Navalnit?


Aleksei Navalni
Aleksei Navalni

Helmimi i udhëheqësit të opozitës ruse, Aleksei Navalni mund të ketë pasoja afatgjata negative në marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë, thotë një analist. Megjithë lajmet e mira për përmirësimin e zotit Navalni, nuk mund të zhduken dyshimet se Kremlini kishte dorë në helmimin e tij dhe se nuk po pranon ndihmë nga jashtë për hetimet, ndërkohë që nuk po bën asgjë për të zhvilluar vetë një proces të hetimor mbi incidentin:

Gjermania ka thënë se ka prova të pamohueshme që udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni është helmuar. Sipas autoriteteve gjermane që ndoqën gjendjen e tij shëndetësore pasi zoti Navalni u soll me urgjencë për kurim nga Rusia, ai është helmuar me Novichok, i njëjti agjent nervor që Britania thotë se u përdor kundër ish-spiunit të dyfishtë rus dhe të bijës së tij në vitin 2018 në Angli.

Zoti Navalni ka treguar shenja përmirësimi ditët e fundit dhe personeli mjekësor i hoqi dje aspiratorin e frymarrjes.

Por dëmi në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kremlinit nuk ka për të pasur përmirësim për një kohë të gjatë, thotë Nikolai Petrov, kreu i Qendrës për Studime Politiko-Strategjike:

"Keqësimi i marrëdhënieve filloi me helmimin, me rezistencën ndaj qoftë edhe hapjes së një hetimi sa për sy e faqe. Duket sikur disa njerëz në Rusi janë të irrituar nga fakti që flitet për helmim, jo nga faktet që ka ofruar Angela Merkel. Nga të gjitha këto pritet një përkeqësim i shpejtë i marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin që prej kohësh kanë qenë të acaruara”.

Ky acarim, thotë zoti Petrov, mund të marrë trajta nga më të ndryshmet, që nga diskreditim publik, deri tek goditja e interesave financiare të Kremlinit dhe të individëve të afërt të Presidentit Putin:

"Rusia mund të hiqet nga bordet udhëheqëse të disa klubeve politike; po ashtu Perëndimi mund të vazhdojë hetimet anti-korrupsion të filluara nga Navalni. Në Zvicër, në Britani e vende të tjera hetimet kanë dëshmuar se përfaqësues të elitës ruse kanë depozita me para dhe zotërime të siguruara përmes korrupsionit. Mendoj se pasojat do të jenë sistematike dhe afatgjata,” thotë analisti.

Por për Kremlinin, kërcënimi kryesor do të vijë nga brenda, thotë ai:

"Vitin tjetër do të ketë zgjedhje shumë të rëndësishme për Parlamentin rus, Duma. Vazhdon të bjerë besimi tek autoritetet; Navalnit ka dëshmuar se është i aftë të konsolidojë forca të ndryshme të opozitës, gjë që përbën kërcënim serioz për Kremlinin,” thotë zoti Petrov.

Ndryshe nga manipulimi i votave në Bjellorusi, ku popullata u hodh në protesta masive, një incident si helmimi i një figure të opozitës nuk rezulton në demonstrata publike, por, thotë analisti Nikolai Petrov, është gjithsesi një goditje e rëndë për besimin e publikut dhe mund të sjellë një kundërpërgjigje dërrmuese politike në të ardhmen për regjimin e Presidentit Putin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG