Lidhje

Budapesti reklamon notin në ujërat e shpejta të Danubit


Notarët në Hungari sfiduan kohët e fundit ujërat që rrjedhin me shpejtësi në lumin Danub, në një aktivitet që synon inkurajimin e hungarezëve për të përfituar nga parqet dhe rrugët ujore të Budapestit. Organizatorët e shohin ngjarjen si një mënyrë për të sjellë entuziastë të sporteve në kryeqytetin hungarez. Njofton Arash Arabasadi i Zërit të Amerikës.

Atletët dhe organizatorët në Budapest thonë se uji është i mirë në lumin Danub që rrjedh me shpejtësi.

"Këtu ka rrymë që shumë njerëz e shohin si të frikshme ose u shkakton ankth. Në vitet e fundit kemi vërejtur që ne hungarezët notojmë shumë pak në Danub”, thotë Balazs Mezos, themelues dhe organizator i "Lojërave Urbane".

Aktiviteti është pjesë e Lojërave Urbane të Budapestit, nëpërmjet të cilave qeveria lokale e qytetit inkurajon përdorimin e parqeve të qytetit, rrugëve dhe vijave ujore si vende sportive.

Në vitet e kaluara, shqetësimet për ndotjen në Danub i mbanin larg shumë notarë.

Por themeluesi dhe organizatori i Lojërave Urbane, Balazs Mezos, thotë se qyteti e pastroi lumin vite më parë.

“Ne përpiqemi t’u tregojmë njerëzve çdo vit se Danubi është i pastër. Që nga viti 2010, kemi kanalizuar të gjitha ujërat e zeza në një impiant pastrimi. Plus, ne jemi larg vorbullave në këmbët e urave”,thotë zoti Mezos.

Atletët notojnë për kauza si Ndërgjegjësimi për Kancerin e Gjirit. Por ish-boksieri olimpik hungarez dhe kampion bote, ‘Koko’ Kovacs noton për krenari kombëtare.

“Të notosh në lumin tonë të bukur nuk është një sfidë e madhe. Është një ndjenjë e shkëlqyer. Unë kam lindur në Budapest dhe bëj shumë aktivitete sportive në Budapest, dhe ky është vetëm një moment i caktuar në jetën tonë për të notuar në këtë lumë të bukur dhe të gjithë duhet ta provojnë”, thotë zoti Kovacs.

Rreth shtatëqind notarë notuan në lumin më të gjatë të Bashkimit Evropian gjatë Lojërave Urbane të fundit në Budapest.

Organizatorët lejuan vetëm rreth 20 deri në 25 notarë në të njëjtën kohë, për të respektuar udhëzimet e distancimit fizik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG