Lidhje

Udhëheqësja në mërgim e opozitës bjelloruse bën thirrje për ndihmë


Udhëheqësja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, majtas, dhe Kryeministrja e Norvegjisë Erna Solberg gjatë një konference për shtyp në Lituani, 8 shtator 2020.
Udhëheqësja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, majtas, dhe Kryeministrja e Norvegjisë Erna Solberg gjatë një konference për shtyp në Lituani, 8 shtator 2020.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, e ka quajtur situatën në vendin e saj si, “absolutisht të papranueshme” ndërsa ka bërë thirrje për trysni ndërkombëtare për të larguar Presidentin Alexander Lukashnko, për të cilin thotë se ai nuk e përfaqëson më Bjellorusinë.

Gjatë një takimi virtual me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) me 8 shtator, zonja Tsikhanouskaya bëri thirrje për trysni ndërkombëtare, përfshi sanksionet ndaj Lukashenkos dhe qeverisë së tij.

“Vendi im, kombi im, populli im tani ka nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për trysni ndërkombëtare ndaj këtij regjimi, ndaj këtij individi që po kapet pas pushtetit. Duhen sanksione ndaj individëve që lëshojnë dhe zbatojnë urdhëra kriminalë që shkelin normat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Duhet lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë dhe fillimi i një dialogu të civilizuar në mënyrë që të gjejmë mënyra që vendi ynë të ecë përpara.”

Protestat në Minsk
Protestat në Minsk

Ajo bëri thirrje në emër të bjellorusëve që aktualisht po viktimizohen përmes ndalimeve masive, rrahjes nga forcat e sigurisë dhe asaj që duket si zhdukje përmes forcës.

“Unë refuzoj, si miliona bjellorusë, që të pranoj që ky është fati i vendit tim. Refuzoj, si miliona bjellorusë të tjerë, që të pranoj se bota thjesht do të rrijë duarkryq dhe të shikojë abuzime të panumërta të të drejtave të njeriut, këtë shpërfillje të qartë të dinjitetit njerëzor, këtë asgjesim të plotë të çdo respekti bazë për dinjitetin njerëzor. Refuzoj, si miliona bjellorusë të tjerë, që të dorëzohem.”

Zonja Tsikhanouskaya kandidoi kundër Lukashenkos në zgjedhjet e 9 gushtit për të cilat opozita thotë se ishin manipuluar. Ajo u largua në Lituani ditë më pas mes protestave masive dhe thashethemeve për plane për arrestimin e saj.

Protestat e pashembullta dhe të përditshme kanë vazhduar me thirrjet që Lukashenko të japë dorëheqjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Takimi i saj virtual me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndodhi disa orë pasi autoritetet bjelloruse thanë se kishin ndaluar aleaten e zonjës Tsikhanouskaya pasi ajo dhe dy organizatorë të tjerë opozitarë u shfaqën papritur në një postobllok në kufirin me Ukrainën mes frikës se ata ishin rrëmbyer në Minsk një ditë më parë.

Tre të ndaluarit janë pjesë e Këshillit Koordinues që kërkon tranzicionin larg sundimit 26-vjeçar të Lukashenkos.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Rik Daems, kohët e fundit ka bërë thirrje për një proces politik kombëtar dhe gjithëpërfshirës në Bjellorusi, për të siguar një tranzicion paqësor dhe demokratik.

Bjellorusia nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, por që kur statusi si vend i ftuar u pezullua në vitin 1997, PACE ka vazhduar të zhvillojë dialog me autoritetet bjelloruse dhe fton shpesh politikanët bjellorusë që të marrin pjesë në takimet e komisionit të tij.

“Është simbolike që flas para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si përfaqësuese e Bjellorusisë, që është gjeografikisht në qendër të Evropës. Megjithatë, më duhet të flas këtu si një e jashtme”, tha zonja Tsikhanouskaya me 8 shtator. “Besoj fuqishëm që kjo situatë nuk do të zgjasë shumë. Bjellorusët tani po luftojnë për vlerat që kjo organizatë është krijuar për të mbështetur – të drejtat e njeriut, demokracinë, zbatimin e ligjit – pikërisht ato gjëra që regjimi aktual në vendin tim përbuz dhe tallet.”

Lukashenko ka refuzuar të zhvillojë bisedime me kundërshtarët e tij dhe ka hedhur poshtë thirrjet për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

Zonja Tsikhanouskaya është cituar nga agjencia e lajmeve Reuters të ketë thënë se rrëmbimet e anëtarëve të Këshillit të Koordinimit të opozitës me 7 shtator, dukeshin sikur autoritetet po përpiqeshin të shuanin vrullin e protestës dhe të frikësonin opozitën.

Zonja Tsikhanouskaya ka në plan të vizitojë Varshavën më vonë gjatë kësaj jave për të zhvilluar takime me udhëheqësit krysorë të Polonisë.

Nga ana tjetër, Lukashenko ka në plan të vizitojë Rusinë brenda disa ditëve, tha zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin me 7 shtator. Njoftohet se Dmitry Peskov i ka thënë agjencisë së lajmeve TASS se “përgatitjet janë në nivel të plotë”.

(RFE/RL's Belarus Service)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG